E Diel, 1 Nëntor 2026

MASH përgatit pr/ligjin diskriminues ndaj muslimaneve

Së fundi, kjo ministri ka përgatitur një projektligj, sipas të cilit ndalohet në të gjitha shkollat publike që vajzat të jenë të mbuluara me shami, por edhe kryqet.

Duket se vendimi godet më së shumti vajzat myslimane, pasi kryqi, është më shumë një simbol se sa një detyrim fetar. “Ky Ligj ka për qëllim të përshkruajë misionin, synimet kryesore të arsimit para-universitar, të rregullojë aspektet e ngritjes, organizimit, drejtimit, financimit, sigurimit të cilësisë së institucioneve të arsimit parauniversitar, si dhe rolit të shtetit e të shoqërisë në funksionimin e arsimit parauniversitar”, thuhet në hyrje të paragrafit të projektligjit në fjalë. Më tej thuhet se veprimtaria e ligjit shtrihet në fushën e arsimit parauniversitar, ndërkohë që universitetet kanë të drejtë të marrin vetë vendimin nëse duhet lejuar ose jo mbulesa Islame.

Ashtu sikurse edhe herë të tjera, theksohet se shkolla është laike dhe në këto institucione publike është i ndaluar indoktrinimi fetar. Në nenin 36, pika 4 e projektligjit të ri të arsimit parauniversitar shprehet se “ndalohet ekspozimi i simboleve fetare në institucionet arsimore, përveçse në shkollat ku mësohen lëndë fetare”, çka do të thotë se do të pezullohen të gjithë nxënësit që mbajnë simbole fetare, pra shami.

Projektligji parashikon që “në institucionet arsimore ndalohet organizimi i veprimtarive partiake dhe/ose fetare me nxënësit ose punonjësit e tyre; në institucionet arsimore ndalohet indoktrinimi ideologjik i nxënësve” si edhe se “ndalohet që nxënësit të detyrohen nga punonjësit e institucionit arsimor që të marrin pjesë në veprimtari partiake dhe/ose fetare ose në veprimtari të tjera që nuk janë parashikuar në planin e veprimtarive të institucionit”.

Kjo nuk është hera e parë që Ministria e Arsimit diskriminon vajzat myslimane që mbajnë shami, një detyrim në bazë të fesë Islame, e cila përbën gjithashtu shumicën e popullsisë në Shqipëri. Ky projektligj bie ndesh me Kushtetutën e vendit, e cila gjithashtu thekson garantimin e lirive dhe të drejtave themelore për të gjithë shtetasit. Por, kur është fjala për vajzat myslimane, Dokumenti themeltar i shtetit interpretohet në një mënyrë tjetër.

Për pr/ligjin në fjalë, tashmë kanë nisur reagimet e para. Juristët dhe shoqatat e të drejtave të njeriut e kanë kundërshtuar pr/ligjin. Drejtuesja e Këshillit Shqiptar të të Drejtave të Njeriut, Elsa Ballauri, shprehet se pr/ligji i përgatitur nga MASH lë shumë hapësira për keqinterpretime. Sipas saj, në një kohë që shteti është laik,  vendosja e simboleve fetare nëpër godinat e shkollave është antikushtetuese, sikurse është antikushtetuese dhe ndalimi i individëve të mbajnë simbole fetare në trupin e tyre, përfshi shamitë apo ferexhetë, pavarësisht se ku ata ndodhen.

                                                                                             2010-12-16 11:25
  [ 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›