Kuvendi rinis punën në fund të janarit
TIRANE- Seanca e parë e sesionit të fundit parlamentar do të mblidhet më datë 29 janar. Do të jetë konferenca e kryetarëve ajo që do të parashikojë dhe miratojë programin e punimeve të Kuvendit, ku do të jenë të përfshira iniciativat ligjore të propozuara për çështje të ndryshme. Draftet më të debatuar pritet të jenë përgjimi nga ana e drejtosisë së Tatimeve dhe ai për gjykatën administrative. Megjithatë, duket se ligjet më të rëndësishme të kësaj legjislature kanë kaluar tashmë, po të kemi parasysh reformën zgjedhore, ndërsa është në vazhdim reforma në drejtësi. Ajo që është për t’u theksuar gjatë sesionit të kaluar, është tensioni dhe bashkëpunimi që kanë shoqëruar seancat sidomos javëve të fundit të vitit. Kështu mes tensionit dhe “presionit” reciprok kanë kaluar ligjet si ai i zgjedhjeve apo edhe ligji i prokurorisë, ligje këto të dyja të kontestuara nga Lëvizja Socialiste për Integrim. Ndërkohë, një ligj i kontestuar nga e gjithë opozita ishte ai i dosjeve, i cili kaloi në votim dhe u miratua nga votat e maxhorancës. Një vendim i tillë i maxhorancës është kontestuar edhe nga përfaqësitë e faktorit ndërkombëtar në vendin tonë, duke kërkuar garanci në respektimin e standardeve të Bashkimit Europian. Ishte kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, e cila menjëherë pas miratimit të këtij ligji ka siguruar faktorin ndërkombëtar se ligji i miratuar respekton standardet e kërkuara nga institucionet ndërkombëtare. Kryeparlamentarja Jozefina Topalli vlerësoi se ligji i dosjeve u miratua me dinjitet nga parlamentarët.
(s.g/GSH/BalkanWeb)