E Diel, 1 Nëntor 2026

MASH u kërkon DAR/ZA-ve të analizojnë rezultatet e Maturës Shtetërore



Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka udhëzuar drejtoritë arsimore rajonale të përgatisin një studim ku të analizohen rezultatet e Maturës Shtetërore 2010 si dhe Provimeve Shtetërore. MASH u kërkon DAR/ZA-ve të analizojnë me shumë përgjegjësi rezultatet dhe mënyrën e administrimit të Maturës. Analiza e këtyre rezultateve do të zhvillohet nga të gjitha Drejtoritë Arsimore me qëllim që të evidentohen shkollat me arritjet më të mira si dhe nxënësit më të mirë të Maturës në nivel DAR/ZA-je. Ky institucion kërkon përgatitjen e një studimi ku duhet tu kushtohet vëmendje e veçantë diferencës midis notës vjetore dhe rezultateve të provimeve të Maturës Shtetërore. Gjithashtu kërkohet marrja në shqyrtim e procesit të administrimit të provimeve si dhe ai i trajnimit të administratorëve si dhe rezultatet e arritura në përfundim të procesit. Ministria u jep 20 ditë kohë DAR/ZA-ve për të përgatitur kalendarin e analizës së Maturës Shtetërore. Më pas ky studim do të dërgohet paraprakisht në Drejtorinë e Edukimit Parauniversitar në MASH. Në këtë udhëzim Ministria kërkon gjithashtu zbatimin me përpikëri të masave të marra për drejtorët e shkollave, administratorët dhe mësuesit në përputhje me Rregulloren e Maturës Shtetërore. Analiza e rezultateve të Provimeve të Lirimit do të realizohet me qëllim evidentimin e korrektesës në procesin e administrimit dhe diferencave midis notës vjetore dhe notës së Provimeve të Lirimit. Po kështu edhe në këtë rast do të zbatohet marrja e masave për drejtorët mësuesit dhe administratorët në përputhje me Rregulloren e Provimeve të Lirimit.

31 Gusht 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›