MASH urdhëron heqjen e mungesave për të zbutur fiktivisht braktisjen e mësimit
Që prej këtij viti, maturantëve dhe nxënësve të klasave të nënta, nuk do tu duhet të shqetësohen për mungesat në shkollë, pasi ato nuk do të merren parasysh nga mësuesit e drejtoria e shkollës përkatëse. Ky urdhër edhe pse jo i shkruar në letër ashtu sikur të gjitha
urdhëresat e tjera të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, figuron si i kryer në shumë shkolla të kryeqytetit e jo vetëm. Nga njëra anë burime nga MASH sqaruan ditën e djeshme për gazetën SOT se nga ky institucion nuk është lëshuar asnjë rregull apo urdhër, që lejonte edhe mbetësit ose nxënësit të cilët kishin përmbushur numrin e mungesave në shkolla, për të marrë pjesë në provime, ndërsa vetë mësuesit e shkollave nëntëvjeçare theksojnë se me urdhër nga drejtoria Arsimore të gjithë mësuesve u është kërkuar që përgjatë gjithë vitit mos të merren parasysh tejkalimet e mungesave nga nxënësit maturantë apo të klasave të nënta, të cilët një vit më parë penalizoheshin për shkak të mungesave e në shumë raste rrezikonin edhe vazhdimin e shkollës. Ndërsa Burime nga drejtoria Arsimore e Kryeqytetit sqaruan për gazetën se nga deklaratat e njëpasnjëshme të drejtuesve të MASH, se përsa i përket skemës së cilësuar braktisja 0 në shkolla janë ndërmarrë edhe veprimet në shkolla ku nxënësit maturantë dhe ata të cilët mbaruan klasat e nënta për këtë vit e në vazhdim nuk do të penalizohen për mungesat edhe kur e tejkalojnë limitin e tyre që është në shifrën 45 të tilla. Këto burime deklaruan gjithashtu se të gjithë maturantët e këtij viti nuk do të penalizohen më nga numri i mungesave e ata të gjithë do të shkojnë në provimet përfundimtare, pavarësisht nga pjesëmarrja e tyre në orët e mësimit. Kështu, kufizimi i 45 mungesave në një semestër nuk do të përbëjë më problem për të rinjtë e viteve të fundit të shkollave të mesme në vend. Kjo porosi e dalë së fundmi nga Ministria e Arsimit, e cila u ka bërë këtë lëshim maturantëve duket se do të fshehë edhe të vërtetën e madhe të braktisjes së shkollës e cila vitet e fundit duket se përbën një prej hallkave më problematike në sistemin arsimor në vend.
Porosia
Edhe pse në formën e një porosie e jo një urdhri të shkruar në letër, nëpër Drejtoritë Arsimore në Tiranë e në rrethe kjo gjë duket se është zbatuar në mënyre korrekte. Jo më shumë se dy ditë më parë, në një prej qyteteve të vendit për këtë problem janë pushuar nga puna dy drejtorë shkollës vetëm e vetëm se nuk pranuan që të fusin në provime disa maturantë të cilët kishin kaluar mungesat e përcaktuara me rregulloren e shkollës. Sipas drejtuesve të disa shkollave, në kryeqytet bëhet fjalë për një lëshim që u bëhet maturantëve, me qëllim që ata të gjithë të jenë pjesëmarrës në procesin e Maturës Shtetërore dhe të mos kenë pengesa të tilla si ajo e mungesave. Nga ana tjetër, ata shtojnë se qëllimi është që të mos ketë mbetës, e për më tepër nga mungesat. Duket se statistikat e zbehta të kalueshmërisë dhe pjesëmarrjes së nxënësve në klasa për semestrin e parë në shkallë vendi e kanë detyruar Ministrinë e Arsimit që të bëhet tolerante me ata që vetëm pas pak kohësh do të duhet të përballen me njohuritë e katër viteve të gjimnazit. Ndërkohë që rregulli për të mos shkelur 45 mungesa në një semestër vazhdon të qëndrojë në fuqi për të gjithë nxënësit e tjerë të shkollave të mesme, por në vitet më të ulëta.
Mungesat
Pra, nëse një nxënës ka plotësuar 20% e mungesave detyrimisht duhet ti nënshtrohet provimit për lëndën ku ka munguar. Por, nëse ato arrijnë në nivelin e 50 përqindëshit, atëherë lënda mbartet nëse është me zgjedhje dhe gjimnazisti mbetet në klasë, kur kjo lëndë është e programit bazë. Ndryshe qëndron puna për lëndët me zgjedhje, ku sërish Ministria e Arsimit ka bërë lëshime për nxënësit e gjimnazeve. Frekuentimi i mësimit nga nxënësit e të mesmeve është shndërruar në një nga problemet më të mëdha të arsimit parauniversitar. Vetë mësuesit pohojnë se ka një kategori nxënësish me të cilët as nuk bëhet fjalë të punosh, pasi nuk bashkëpunojnë sido që të sillen. Sipas porosisë së MASH-it edhe këta nxënës duhet të futen në provime pavarësisht se në shumicën e rasteve përpos mungesave të paarsyetuara nuk marrin pjesë pothuajse farë në mësim.
Arta AGOLLI