MASHT-i diskriminon qytetarët e Kosovës

LDK vlerëson se Qeveria edhe në këtë rast dëshmon se nuk punon për interesat e të gjithë qytetarëve të Kosovës, por për interesat e veta të ngushta.
Sipas LDK-së, investimet kapitale në fushën e arsimit, të projektuara në buxhetin 2012, përpos diskriminimit, shoqërohen me mashtrime të mëdha, meqë edhe projekte të vitit 2010 futen si projekte të vitit 2012, për të fryrë kështu kot shumën e investimeve.
“Po theksojmë se këtë nuk janë projekte të bartura, por projekte që do duhej të ishin kryer 2 vite më parë. Saktësisht, në fushën e arsimit, për vitin 2012 Qeveria ka projektuar të investojë 24.3 milionë euro, që përbën 3.9 për qind të investimeve kapitale të shpallura prej 616 milionë eurosh”.
Ekipi i Ekspertëve të Arsimit, Shkencës dhe të Teknologjisë nga LDK thotë se nga kjo shumë, vetëm 2.5 milionë euro u takojnë projekteve të reja, meqë të tjerat janë projekte të bartura që nga viti 2010.
“Vetëm në Kosovë ndërtimi i një shkolle mund të zgjasë 3 vjet, pasi MASHT-i me pak milionë në vitin 2010 ka nisur me dhjeta shkolla, të cilat tani sërish figurojnë në buxhetin e vitit 2012, meqë Qeveria nuk i ka paguar ende kontraktorët. Ju rikujtojmë se, sipas Raportit të Progresit 2011, Qeveria ka 32 milionë euro obligime të pashlyera”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga ekspertët e LDK-së.
LDK konsideron se edhe shpërndarja e investimeve kapitale në fushën e arsimit nëpër komuna është e padrejtë dhe tepër diskriminuese. Sipas partisë me të madhe opozitare, në komunat e qeverisura nga LDK-ja: Prishtina, Fushë-Kosova, Podujeva, Istogu, Obiliqi, Novobërda, jeton rreth 40 për qind e popullsisë së Kosovës, ndërsa këto komuna do të marrin vetëm 19 për qind të buxhetit për ndërtimin e shkollave.
“Prishtina ka 55 mijë nxënës në shkollat fillore dhe ato të mesme, apo rreth 15 për qind të numrit total të nxënësve në Republikën e Kosovës, ndërsa merr 4 për qind të buxhetit për ndërtimin e shkollave që bën Ministria e Arsimit (apo 575 mijë euro nga 14.3 milionë. Kurse vetëm Skënderaj do të përfitojë thuajse trefish më shumë buxhet për ndërtimin e shkollave nga Ministria e Arsimit (1.43 milionë nga 14.3 milionë sa investon Ministria e Arsimit në ndërtimin e shkollave)”.
Ekipi i Ekspertëve të Arsimit, Shkencës dhe të Teknologjisë nga LDK ka dhënë edhe një tabelë ku shpalosen investimet e MASHT në ndërtimin e shkollave nëpër komuna për vitin 2012.
Komunat sipas partive që qeverisin Shuma e ndarë nga MASHT-i për ndërtimin e shkollave
LDK 2,682,500 19%
Prishtinë 575,000
Fushë Kosovë 787,500
Podujevë 870,000
Istog 450,000
Obiliq 0
Novobërdë 0
PDK 7,881,665 55%
Klinë 450,000
Gjilan 800,000
Malishevë 550,000
Skënderaj 1,430,000
Vushtri 490,000
Lipjan 440,000
Mitrovicë 470,000
Prizren 901,665
Viti 490,000
Ferizaj 480,000
Shtime 440,000
Dragash 480,000
Kaçanik 400,000
Gllogovc 60,000
AAK 3,810,000 27%
Suharekë 1,580,000
Rahovec 440,000
Pejë 1,190,000
Gjakovë 500,000
Deçan 100,000
Total 14,374,165 100%