E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kundërshtojnë dualizmin

Komisioni për ndryshime kushtetuese ka paraparë vjeshtën e vitit të ardhshëm si kohën për të zgjedhur të parin e shtetit. Express sjell kalendarin parlamentar të këtij komisioni. Ndërkohë, problem mbeten kompetencat e Presidentit. Arsim Bajrami konsideron se ato duhet të saktësohen për shkak se janë dualiste.

Nëse gjithçka shkon sipas agjendës së Komisionit për amandamentime Kushtetuese, partitë politike do të duhej të caktonin datën e zgjedhjeve presidenciale në qershor të 2012’ës.

Deri në këtë kohë të gjitha ndryshimet kushtetuese do të duhej të ishin të miratuara në Kuvend.

Kjo agjendë është përcaktuar në draft kalendarin parlamentar të Komisionit, të cilin e ka siguruar Gazeta Express, e në bazë të të cilit Komisioni ka punuar deri më tani në ndryshimin e Kushtetutës.

Ndërkohë që agjenda e paraparë mund të ndryshojë nëse deputetët e Kuvendit e zvarritin procesin e ndryshimeve kushtetuese, që kanë të bëjnë me Presidentin.

E përveç mënyrës së zgjedhjes së shefit të shtetit, debat kanë nxitur edhe kompetencat e këtij të fundit.

Disa deputetë kanë shfaqur dilema në atë se i pari i shtetit ka më shumë kompetenca sesa që duhet.

Kryesuesi i Komisionit për ndryshime kushtetuese, Arsim Bajrmai ka qartësuar për Express se nuk bëhet fjalë për zvogëlim apo shtim të kompetencave, por saktësim të atyre që janë.

Ai pohoi se janë disa kompetenca të njëjta të Presidentit me ato të Kryeministrit të vendit, të cilat duhet të saktësohen, ngase paraqesin dualizëm.

“Neni 84 duhet të rishikohet gjithsesi, ngase ka dualizëm dhe kjo duhet të rishqyrtohet, mirëpo nuk do të thotë që kompetencat e Presidentit duhet të shtohen apo pakohen. Mendoj se duhet të saktësohen këto kompetenca që janë e sidomos ato që përfshijnë fushëveprimin ekzekutiv”, tha Bajrami.

E sikurse ky i fundit mendon edhe anëtari tjetër i Komisionit nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Ardian Gjini.

Gjini konsideron se nuk ka logjikë të mbahen zgjedhjet presidenciale pa i definuar mirë kompetencat e të parit të shtetit.

Ai tha se kompetencat e Presidentit duhet të reduktohen, duke marrë shembuj nga shtetet e rajonit.

“Aktualisht Presidenti i Kosovës ka më shumë kompetenca se që i takon. Në kuadër të nenit 84 thuhet se Presidenti i shtetit është i ngarkuar politikisht me çështjet ndërkombëtare, ndërsa ne kemi edhe Kryeministër edhe Ministër të punëve të jashtme. Në Austri nuk e ka këtë privilegj sepse Qeveria merret me atë”, u shpreh Gjini.

Sipas tij, dualizmi i tillë është i dëmshëm për një vend demokratik.

Ndërkohë, deputetja Vjosa Osmani nga LDK mendon se edhe pika e cila flet për emërime të larta duhet të rishikohet.

“E kemi mënyrën e përzgjedhjes së drejtorit të AKI’së, që duhet të bëhet me pajtueshmërinë edhe të Presidentit edhe të Kryeministrit, që mendoj se është e tepërt”, tha Osmani.

E se ka dualizëm shihet edhe në nenin 94 dhe 84 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Në bazë të këtyre neneve, Presidenti dhe Kryeministri i shtetit aktualisht kanë kompetenca të njëjta në katër pika.

Kryesuesi Bajrami tha se këto pika priten të ndryshohen, mirëpo nuk ndikojnë në mbajtjen e zgjedhjeve presidenciale.

Ai tha se ligjërisht zgjedhjet për të parin e shtetit mund të mbahen, ndërkohë që kompetencat mund të rishikohen edhe pas mandatimit të tij, pa pasur nevojë për shtyrje të afateve.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›