E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shfaqje për raftin e momenteve kulturore

Nëse ju ka ndodhur që t’i ftohni marrëdhëniet me teatrin për shkak të ndonjë shfaqjeje metaforike të rëndë, apo nëse mendoni se është vështirë të kuptohet e folmja e Shekspirit, këtë e keni të garantuar që nuk do të ju ndodhin në ”Natën e dymbëdhjetë”.

Një shfaqje e mirë teatrale është një ndodhi artistike të cilës duhet t’i gëzohemi, dhe ta vëmë në raftin e momenteve kulturore për ta rikujtuar ndjenjën.

Ngjarje të tilla kulturore, për fat të keq, neve na nuk ndodhin shpesh. Por “Nata e Dymbëdhjetë” , një komedi kjo jo aq e njohur e Shekspirit, e inskenuar nga Teatri Kombëtar në Prishtinë zë vend në raftin kulturor si një portret i buzëqeshur që sa herë kthehesh dhe e shikon më vonë do të të kujtojë ca çaste të bukura dhe një gaz që ta përshkruan trupin.

Duke anuar kah spektakli dhe me finesa të një mjuziklli, “Nata e Dymbëdhjetë” është një përjetim teatror që përmbush atë kërkesën a masivizimit të teatrit – të teatrit si argëtim.

Sado që të jesh rezistues në të pranuarën e diçkaje si të bukur, argëtuese ose komike, kjo shfaqje në momentet e saj kulmore të përfshinë në gaz e ekzaltim.

Kombinimi i ritmit, i këngëve dhe i lojës shihet se është bërë me përkushtim të madh, e përkushtimi dhe puna e zellshme normalisht që paguhen.

Është për të befasuar aftësia muzikore dhe vokale e aktorëve të involvuar në këtë shfaqje, megjithëse shihet qartë edhe puna e kompozitorit pas tyre.

Skenografia e thjeshtë, e bukur dhe multifunksionale, nuk kalon pa u vërejtur po aq sa edhe kostumet.

Përmes një adoptimi të ndjeshëm shfaqja, po ashtu, e ka minimizuar edhe atë distancën e gjuhës së Shekspirit me publikun e gjerë.

Domosdo që shfaqje perfekte vështirë që ka, andaj edhe “Nata e Dymbëdhjetë” për dikë – ndoshta - është paksa e gjatë, dhe e ka një fillim që nuk premton shumë, por krejt këto janë minore, sepse ndjenja që e merr me vete kur të dalësh nga teatri është vetëm ajo e kënaqësisë.

Nëse ju ka ndodhur që t’i ftohni marrëdhëniet me teatrin për shkak të ndonjë shfaqjeje metaforike të rëndë, apo nëse mendoni se është vështirë të kuptohet e folmja e Shekspirit, këtë e keni të garantuar që nuk do të ju ndodhin në ”Natën e dymbëdhjetë”.

Të gjithë ata që kanë mundësi financiare për të paguar tre euro (1 euro për studentë) rekomandohen fuqishëm që të harrojnë emisionet e njëpasnjëshme të lajmeve, të mbushura me halle të përditshme, dhe t’i dhurojnë vetes një natë, për ta vënë atë pastaj në raftin e momenteve kulturore.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›