MB: Ja situata në zonat e përmbytura

Ministria e Brendshme nëpëmjet një njoftimi për shtyp ka dhënë informacione për situatën në zonat e përmbytura në veri deri në orën 08:00 të mëngjesit. Sipas Ministrisë në qarkun e Shkodrës janë përmbytur 4786 hektarë tokë.
Në këtë qark nën prezencën e ujit janë 870 shtëpi, ndërkohë që janë avakuuar 527 familje. Nga ky qark priten të evakuohen 3 mijë banorë, por largimi i banorëve vijon. Në zonën më të prekur nga përmbytjet, në Dajç është riparuar rreth 140 m argjinature dhe brenda ditës së sotme pritet të përfundoje pjesa tjetër e dëmtuar prej 400 m.
MB njofton se po punohet në Komunën Velipoje për riparimin e argjinatures në fshatin ças.
Në qarkun e Lezhës, në Ishull Shëngjin në lagjen Stom uji është larguar plotësisht. MB bën me dije se hidrovori punon me kapacitet të plotë, ndërkohë vazhdon puna për ngritjen e argjinaturës mbrojtëse për pengimin e baticave të detit.