Reportazh, Shkodër, aty ku banorët humbën shtëpitë e bagëtitë
SHKODER- Toka të tëra mbuluar me ujë. Karvanë me njerëz të tronditur, që kanë vënë para bagëtitë dhe largohen nga zona për t’i shpëtuar vërshimit të ujërave. Flasin me veten. Vetëm pak orë më parë betoheshin se nuk do të largoheshin nga banesat e tyre. Kishin frikë më shumë hajdutët e shtuar në numër nga varfëria, se shkulmet mbytëse të ujërave. “Prite o Zot rrezikun”! Kjo, një shprehje e njohur e shkodranëve, dëgjohet gjithandej si lutje. Fushat ngjajnë në dete të vogla, shtëpitë si lundra; rrugët janë zhdukur. Burra, gra, pleq e fëmijë fërkojnë sytë për t’u zgjuar nga një ëndërr e frikshme, por nuk është ëndërr. Kjo është pamja që të shoqëron sapo del nga qyteti i Shkodrës dhe vazhdon rrugën për në Bahçallëk. Fytyra të trembura që mezi presin të dëgjojnë një fjalë nga një person që mendojnë se di më shumë. Në qytetin e Shkodrës dhe rrethinat e tij, kryefjala e ditës është përmbytja. Të gjithë flasin vetëm për rrezikun nga uji. Në kafe, në takime mes njerëzish, madje edhe në biseda me të afërm të tyre jashtë vendit, rreziku i një katastrofe është prezente. Gojë pas goje shkojnë thëniet e të moshuarve se, “Shkodra rrezikun e ka nga uji, prej tij mund t’i vijë dhe fundi”. Kjo thënie e vjetër e harruar prej vitesh është rikthyer frikshëm tek shkodranët. Niveli i ujit në lumin Drin, Bunë dhe në Liqenin e Shkodrës është shtuar aq shumë, sa shkodranët ndihen të zënë si në kurth. Ndërsa dëgjojnë të rejat e fundit në televizion, paniku shtohet kur thuhet se do të dyfishohet shkarkimi i ujërave nga hidrocentralet. Pas orës 15:00, në rrugët e qytetit të Shkodrës shikon shumë pak njerëz. Mesa duket, ata ndihen më të sigurt në shtëpitë e tyre.PëRMBYTJAPasdite. Jemi nisur nga qyteti i Shkodrës drejt zonës më problematike për momentin, Dajçit. I vetmi mjet i sigurt udhëtimi është makina fouristradë, automjetet e ushtrisë apo të policisë. Sapo kalojmë Harkun e Bërdicës, valët e ujit bëhen më të frikshme. Jo vetëm që kanë mbuluar të dyja anët e rrugës, por në vende të caktuara ka dalë mbi rrugë. Një postbllok policie kontrollon të gjitha makinat që duan të kalojnë në zonën e rrezikuar. Policët në postbllokun e vendosur në kthesën e Trushit nuk lejojnë kalimin e mjeteve të vogla. Një urdhër i prerë bën që të gjithë të kthehen mbrapsht, pasi kalimi i tyre është i pasigurt për shkak të rrjedhës së ujit. Ne vazhdojmë rrugën për në fshatin Samërisht, dhe na duket sikur po ecim mbi ujë. Rrjedha e fortë e ujit sa vjen e shtohet, madje hyn dhe brenda në makinë. Na shoqërojnë makinat e ushtrisë dhe të policisë së Shkodrës. Pas disa minutash ankth mbërrijnë në zonën e Samërishtit. Tashmë banorët mesa duket e kanë kuptuar rrezikun që u kanoset. Ndryshe nga një ditë më parë, ata kishin nisur evakuimin.BANORëT“Dje (të hënën) isha i vendosur që të mos ik prej shpisë, por tash më duket se jena me tamam keq. Duhet me shpëtu kryt”, - thotë Mikeli, njëri prej banorëve të fshatit Samërisht. Në të gjithë këtë zonë shikon ushtarë dhe policë, që me thasë mundohen të bëjnë pengesa për ujin, shikon zetorë që kanë mbetur në ujë dhe që të zotët e tyre mundohen më kot t’i largojnë. “E shikon këtë zetor. Kam marrë kredi 2 milionë lekë për me e ble para 6 muajsh. Më ka met në ujë. Si do ta paguj këtë kredi unë? Si kam me jetu? Na jena shkatërru mor njerëz!” - thotë gjithë mllef Marku, një banor i kësaj zone, ndërkohë që nuk i fsheh lotët. “Tan puna është se jemi shkatërru. Kam katër fëmijë. Nuk më ka mbet gja mas shpirtit. Nuk më duhen gja mu komisionet dhe fjalët e mëdhaja”, - vazhdon Marku të tregojë hallin e tij. Fshatarët janë shumë të interesuar për bagëtitë, pasi sipas tyre ato janë jeta e tyre. Loro Shllaku, nga fshati Mushan (dhe kjo zonë e rrezikuar nga përmbytja), është duke u larguar me një karvan bagëtish. “Unë kam 6 lopë në shtëpi. Jam duke i dërgu në zonën e Pentarit, sepse ajo asht nalt dhe nuk përmbytet. Kam disa të afërm të mi. Në fillim po çoj bagëtitë, masandej tash po shkoj vet me njerëzit e shtëpisë”, - pohon ai. Babai i 3 fëmijëve thotë se, “kam qenë rojë gjithë këto net. Nuk kam fjetur asnjë minutë. Kisha frikën e fëmijëve. Uji që prej tre ditësh na ka ardhë deri tek dera e shtëpisë dhe sot ka nisur me hy brenda. Nuk mbaj mend këtë tmerr ndonjëherë”. Banorët e këtyre zonave i ka bashkuar një rrezik i vetëm; vërshimi i ujit. Pothuajse të gjithë që takuam bënë apel që politika të mos përzihet në hallin e tyre. “Tani nuk na interesojnë as të djathtë, e as të majtë. Nuk ka të drejtë askush të luajë me tragjedinë tonë”, - deklarojnë banorët. (GSH/BalkanWeb)