E Diel, 1 Nëntor 2026

MB: Po vijon puna për zhbllokimin e rrugëve

Ministria e Brendshme ka njoftuar sot se pas përmirësimit të motit ka nisur edhe shpërndarja e ndihmave në zonat e izoluara nga dëbora. Në një konferencë për shtyp zëdhënësi i MB-së Fatmir Konja theksoi se gjithashtu po punohet për zhbllokimin e rrugëve.
 

“Prioritete kryesore për përballimin e kësaj emergjence janë mbajtja hapur e akseve rrugore si dhe zgjidhja e problemeve emergjente të furnizimit me ushqime dhe të emergjencave shëndetësore. Edhe gjatë ditës së sotme kanë vijuar operacionet për pastrimin dhe mbajtjen hapur të akseve rrugore kombëtare. Janë kryer fluturime dhe janë dërguar deri më tani 200 pako ushqimore në Pukë dhe Tropojë” ka shtuar Konja.
 

Ai ka theksuar më tej se helikopterët e Ministrisë së Shëndetësisë kanë kryer katër fluturime ditën e sotme për emergjenca shëndetësore, konkretisht në Rrëshen, Vermosh, Pukë dhe Kala e Dodës dhe do të kryejë në vijim edhe një ndërhyrje për transport në Tropojë.

Ja situata në akset rrugore kombëtare sipas MB-së:
 

o Autostrada Rruga e Kombit, Tiranë-Milot-Rrëshen-Kukës-Morinë, e kalueshme, në disa segmente me vështirësi.
o Aksi rrugor kombëtar,Tiranë- Shkodër-Hani Hotit, i kalueshëm pa vështirësi,
o Aksi rrugor kombëtar Tiranë-Shkodër-Muriqan, i kalueshëm,
o Aksi rrugor kombëtar Tiranë-Milot -Ulëz, është i kalueshëm pavështirësi nga Ulëza-Burrel- Bulqizë-Peshkopi-është i kalueshëm me vështirësi me zinxhirë.
o Aksi kombëtar Tiranë-Elbasan-Korçë-Kapshticë, i kalueshëm, pa vështirësi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›