Nishani: Bashkëpunumi, çelsi i suksesit të emergjencës

Ministri i Brendshëm Bujar Nishani ka mbledhur sot shtabin e emergjencave civile në qarkun e Korçës. Në fjalën e tij, Nishani ka kërkuar bashkëpunimin e strukturave të pushtetit lokal për të përballuar situatën ndërsa ka shtuar se qeveria shqiptare ka marrë masa për përballimin e gjendjes emergjente.
"Bashkëpunumi i strukturave të pushtet lokal është çelsi i suksesit të kësaj emergjence. Sistemi i komunikimit zinxhir nuk duhet të prishet për të patur nën kontroll situatën” ka theksuar Nishani .
Ai ka rikujtuar se ministria e brendshme ka lëvruar një fond emergjent për komunat në mënyrë që të zhbllokohen rrugët ndërsa ka kërkuar nga firmat kontraktore që administrojnë rrugën të mos e neglizhojnë situatën.
“Do vijojë puna për hapjen e çdo rruge në gjithë vendin. Duhet të jemi në terren në çdo moment. Akset e komunikimit të mbahen të hapura” ka shtuar më tej Nishani.
Nishani gjithashtu ka kërkuar solidaritet mes banorëve për të pastruar çatitë e shtëpive nga dëbora ndërsa ka bërë apel edhe për rreziqet që mund të vijnë nga orteqet.