MB: Shpërblimet për policët, nga fondi rezervë i qeverisë

Ministria e Brendshme ka reaguar lidhur me pretendimet e Sindikatës së Policisë për shpërblimet. Në një deklaratë, ministria sqaron se shpërblimet financiare të shpërndara gjatë këtij viti, për punonjësit e Policisë së Shtetit janë dhënë nga fondi rezervë i Këshillit të Ministrave, konkretisht në shumën 205 milionë lekë.
“Këto shpërblime nuk janë dhënë nga fondi i veçantë, për rrjedhojë nuk janë objekt i këtij vendimi dhe nuk kthehen në buxhetin e shtetit”, thuhet në deklaratën për shtyp.
Ministria e Brendshme, sqaron se pagesa e orëve suplementare e kryer për strukturat e Policisë së Shtetit nuk është objekt i kthimit në buxhet sipas VKM nr. 472, datë 02.07.2011, sepse përfshihet në fondin e pagave.
Po ashtu, Ministria thekson ndër të tjera se në këtë vendim është parashikuar vetëm, që orët suplementare të punës të cilat nuk janë kompensuar me pagë deri më tani, të kompensohen me pushim dhe në pamundësi të kësaj të vijojë mënyra e kompensimit financiar.
“Çdo pretendim tjetër është i pasaktë dhe jashtë kontekstit sindikalist”, përfundon deklarata e Ministrisë së Brendshme.