E Diel, 1 Nëntor 2026

ME AT ZEF PLLUMIN NË MES TONË (II)

(vijon nga nr. i kaluar)

Gjithkush që mund të befasohen prej interpretimesh të këtilla do të duhet të mbajë në sy se ka të bëjë me një dishepull të Shën Françeskut të Asizit. “Urdhni Françeskan asht nji organizatë e Kishës Katolike botnore themelue në shek. XII prej Shën Françeskut të Asizit (Itali) me moton e vet “Pax et Bonum” (Paqe dhe Mirësi), n’ato kohë t’errta të Mesjetës ma të turbulluemet për Europën, - ka pasur kujdesin t’i bëjë me dije lexuesit e çmësuar qysh në intervistën e tij të parë më 1992. - Urdhni Françeskan pruni nji vizion të ri të jetës, të ndryshëm e të kundërt me atë të kalorsisë bujare, fisnike që pështetej në feudet e pasuna e në forcën brutale. Françesku vetë ishte poet, i pari shkrimtar i gjuhës italiane, që me “Kangën e natyrës” diti t’i japë një drejtim të ri njerëzimit kah Drita, kah Paqja e Dashunija. Ky drejtim nuk u pështet në forcën e sundimtarëve feudalë dhe kalorësve luftarakë, por në popullin e vogël fukara dhe themeluesi i emnoi pasuesat e vet si “Urdhni i Vllazënve të Vogjël”...” Dhe ka shtuar, duke folur po për Radion e Vatikanit: “Urdhni i themeluem prej Sh’Françeskut, me idé thellësisht popullore, gjindet kudo në botë. Urdhni ka si idé kryesore vorfninë, tue zhdukë kështu ate që sot kishte me kenë pasioni themelor: dishirin për pasuní. Ideja e pasunisë zhduket”.
 Në kuvendimet e shumta me të, përgjatë gati 15 vjetësh bashkëpunimi, e kam dëgjuar me dhjetëra herë të ngulmonte në doktrinën e Shën Françeskut të Asizit: duke surbur kafetë ose duke gjerbur rakitë, duke udhëtuar së toku nëpër Shqipëri, – Shqipërinë ai e shkelte për së gjeri e për së gjati, – në tryezat e sillave të dy kokë-më-kokë ose me miq, përfshi edhe ndërkohët e gjata kur, për nevoja të bashkëpunimit, më është dashur të banoja në Hospicin françeskan të Tiranës, ku rrinim e kuvendonim me orë të tëra dhe ku ulesha në tryezë me të tri herë ditën në oraret e tij përpikërisht të rregullta. Kishte gati-gati një keqardhje për ata – ndër “ata” isha edhe unë – që nuk njihnin së paku veprën letrare të Shenjtit të Asizit: “I fioretti” ishin për të “libri më i bukur në botë”. Në përmbledhjen e këtushme të bisedave do të gjeni që ai t’u thotë bashkëbisedueseve Asllani dhe Shehri se libri më i bukur në botë ishte për të “Don Kishoti”. Ndoshta ka dashur t’i përmbahej laicitetit të historisë së letërsisë në bashkëbisedim me dy mësimdhënëse universitare të Fakultetit të Historisë e të Filologjisë. (Apo mos vallë agnosticitetit të tyre?) Gjithsesi ja ku ju bëj bé që me “Lulet e vogla” të Shën Françeskut ai nuk vinte vepër tjetër të letërsisë!        
Qemë në tryezë, në sofragjerinë më se të thjeshtë të Hospicit, së toku me një mik të tijin të vyer, Imzot Robert Ashtën, të cilin e vlerësonte si prelatin më të ditur e “ma dêjë për lavd” mes klerit të gjallë katolik shqiptar. Unë vetë, sa herë e shihja, isha i bindur që pikërisht atë sqimë hijerëndë duhej të kishte pasur Imzot Mjedja i Valixhes së Quaronit, që i lëshonte ekskomunikimin shtetit shqiptar, dhe se ai që e thërrisja “Monsignor Robert” do ta meritonte Dhomën e Lordëve, ndryshe nga Imzot Mjedja që kishte merituar shumë-shumë postin e regjentit të Shqipërisë... At Zefi sapo ishte kthyer nga Padova, ku vente thuajse përvit për të takuar studentët që kishte dërguar vetë në universitetin e atjeshëm, dhe më kishte prurë dhuratë: çfarë? Një botim të “Luleve të vogla” të vitit 1926. Si “atit”, ashtu “imzotit” ai libërth dukej t’u kujtonte të ritë e tyre. “Edhe komunizmi është një nga lulet më të mrekullueshme të historisë...”: i ngacmova me thënien e Romain Rollandit. Ndërsa Imzot Ashta bëri kryq duke u lëshuar në shpinëzën e karriges, At Zefi nënqeshi me nënqeshjen gjithë zemërbutësi, që ishte privilegj i tiji. “Po familja a nuk është institucion komunist?”, pyeta atëherë me tërë mend. Të dy kishin përgjigje të ndryshme. “Po urdhrat e mëdha monastikë, benediktinët, domenikanët, françeskanët dhe gjithë të tjerët a nuk kanë dhënë shembullin e një ‘komunizmi vëllazëror’?” Komunizmi si koncept i kulluar nuk është kundër natyrës njerëzore: ky ishte mendimi i At Zef Pllumit. Prirjen komuniste në vetvete ai e përkufizonte si një prej shprehjeve hyjnore të natyrës njerëzore, për sa kohë njeriu është i aftë për “shpirt sakrifice”. Tani shoh që në intervistën e tij të fundit, duke biseduar për marrëdhëniet mashkull-femër, t’ia ketë besuar gazetares njërën nga të fshehtat: “Kur femra apo mashkulli lidhen, e kanë dorëzuar lirinë. Po duhet ta dorëzosh lirinë, se kjo është jeta...”. Për dishepullin e Shën Françeskut çdo sistem i kulluar “komunist” – si familja edhe urdhrat monastikë – ishte sistem “dorëhjekjesh”, nëpërmjet të cilit individi flijon lirinë e vet dhe të mirat e veta për të mbërritur një ideal të bukur, për të realizuar një pasion fisnik: dashurinë për atin dhe nënën, dashurinë për të afërmin, dashurinë për Zotin, “prej këndej edhe dashunija për Atdhé e binomi ‘Fé-Atdhé’, që don me thânë me punue për Zotin e për popullin”, ide që do ta ndeshni edhe këtu, në bisedimet e tij me gazetarët. Vetë sikur e shoh, me nënqeshjen që thashë, duke më pyetur: “Tash, djalë, a mos po doni me m’qitë edhe komunist?”
“Këte lloj komunizmit fisnik, për Fé e Atdhé, unë e kam njohë e ushtrue qysh në moshë 5-vjeçare”: më është ngulitur kjo thënie e tij e asaj mbasdarke, ndërsa zjarri brambullonte në sobë dhe, si qemë ngritur nga buka, hiqnim verë me aromë beharnash nëpër gotat me fron të lartë, si të qëmotshmet, në dhomën e ngrënies që një herë e një kohë, gjatë qëndrimit të parë në Tiranë, kishte qenë e një tjetër dishepulli të Shën Françeskut, At Anton Harapit. Tregoi mbaskëtaj edhe diç tjetër, që atëherë nuk ma nxinte mendja... Të fshehtën që ai ishte ushtruar duke mbajtur në të ritë e vet edhe “çelnicën” – kështu e quanin pengojcën seksuale – shoh tani i befasuar që në pleqërinë e fundit t’ia ketë besuar këtë, në bisedë e sipër, edhe gazetarit Ben Andoni.
Për kureshtjen e lexuesve do të më pëlqente të tregoj këtu se përmbledhja e Shën Françeskut që Frati sapo më kishte dhuruar dhe që tani kur shkruaj e kam përpara, I Fioretti di Sancto Francesco. Codice di Amaretto Mannelli 1396, Foglino 1923 (Argentieri), e blerë në ndonjë antikuar – me siguri fort të shtrenjtë – të Padovës, mbetet një nga botimet më të çmueshme që më ka zënë syri e më ka prekur dora: në 4º, me këllëf mëndafshi ngjyrë vjollce të errët dhe stolisje të pranuara, i lidhur në lëkurë të rrahur, 320 fq. + 6 jashtë teksti, me ilustrime të shumta që paraqesin ngjarje të ndryshme nga jeta e Shën Françeskut. Fletët jashtë teksti me larime floreale. Larime të njëjta janë përdorur edhe si koka teksti, kryeshkronja dhe fundrreshta. Shkronja të praruara në shpinë. Tokëz mbyllëse gjithashtu e praruar. Disi i dëmtuar vetëm për cepash. Ai dashnor librash që ishte At Zef Pllumi më sqaroi aty për aty se ishte fjala për një botim mirëfilli bibliofilik: prej vetëm 1000 ekzemplarësh të numërtuar, tani fort të rrallë. Dhe i qeshte nuri. Të gjitha matricat që qenë përdorur për shtypjen e tij mbas ekzemplarit të 1000-të ishin asgjësuar. Imi kishte vërtet një numër: “835”.
“Po djalë, - ndërhyri atëherë hijerëndë Imzot Ashta, - por asht shkencërisht qesharake  me andrrue e me e përmbysë fuqinë e egër të kapitalit me idetë e kontit Karl Marx”. Vetë At Zefi do t’i thotë vite më vonë Fevziut në studio: “Lufta s’ka mbarue sot, as ka me mbarue kurrë deri në fund të shekujve. Pse feja ban punën e vet, edhe bota ban punën e vet. Ti mos mendo që asht i vetmi armik komunizmi. Sot në kapitalizëm kanë zot dollarin. Lufta nuk kryen, por ideali jone asht nji ky...”. Për të gara e egër për pasurim mund të bjerrej vetëm kur të vinte dita që popujt të tmerroheshin prej lukseve të tepruara, shkapërderdhjeve, dëfrimeve pa caqe, veseve, që gara e egër përhap. “Urdhni [i Shën Françeskut] ka si idé kryesore vorfninë, tue zhdukë kështu ate që sot kishte me kenë pasioni themelor: dishirin për pasuní, - e gjeni të stërpërsëritur në bisedat e tij. - Ideja e pasunisë zhduket. Vendin e saj e xên ndjenja mâ fisnike që ka njoftë ndonjiherë njeriu: dashunija. Dashunija për Zotin në radhë të parë. E kur të kesh dashuni për Zotin, do të kesh edhe për të gjitha kreatyrët tjera, pa dallim. Si je mësue me dashtë Zotin, nisë e ndien dashuni edhe për lule, për shpend, për shtasë... e aq mâ tepër për njeriun. Kjo âsht karakteristika kryesore e françeskanizmit në botë”. Vizionin e tij nuk ka pasë ngurruar ta shqiptojë shkoqur qysh në të parën e intervistave: “Ata njerëz, edhe burra shteti në kjofshin, që mendojnë se ekonomija e pasunija janë nderi, lavdija, shpëtimi, e mira e kombit, padyshim ata kanë hy në rrugë qorre dhe popullin tonë do ta çojnë në greminë”. Le të kujtojmë edhe se si për vete i kaloi motet e fundit të jetës kryekëput ndryshe prej “atyre njerëzve”, sikurse e gjeti gazetarja që i mori intervistën e fundit më 2007: “Strehëza e tij kishtare në Shkodër i ngjan dhomës së një murgu: një shtrat me kryqin afër, dy karrige, një tavolinë e ngopur me libra dhe një sobë e vogël me dru, mbi të cilën përkulet me duart e zgjatura at Zef Pllumi. I vetmi detaj që e prish përfytyrimin e një kleriku mesjetar është celulari në qafën e françeskanit, që sikur i ka zënë vendin kryqit...”. 
Kur ishte fjala për ide revolucionare, vetëm një palë mund ishin të tilla për ideologjinë e At Zef Pllumit: idetë e Shën Françeskut. Dhe, nëse do të flitej për revolucione, vetëm një revolucion do të ishte për të i vërtetë e i dobishëm: ai i dishepujve të Shën Françeskut. A e dinë këtë, vallë, zotërinjtë e rëndë dhe zonjat e rënda që venin në kishat ku ai meshonte dhe që – vë bast për këtë – vijojnë në venë edhe sot për të bërë sehir meshat që çojnë të tjerë etër françeskanë? Nuk di ç’të them. Vetëm mund t’i qetësoj duke i siguruar se një lëvizje asketike masash, që mund t’ia bjerrte hovin garës për pasurim, është ende fort larg. Përse? “Ne jemë nji popull që kemë kalue nji diktaturë shumë të vështirë, - na thotë në bisedat e veta Frati ynë. - Por, para kësaj diktature, përveç nji periudhe shumë të shkurtë lirie, kemë kalue nji robni 500-vjeçare. Në këte mënyrë, ky popull asht mësue që, edhe me i shtie opangën në gojë, nuk flet, as bërtet. Këtu nuk jam dakord unë me popullin tem...”. Pikërisht kështu: “Këtu nuk jam dakord unë me popullin tem”!

Brenda katër skajeve kardinale ku lëviz e zhvillohet ideologjia e tij – dashuria përkundrejt dhunës dhe liria përkundrejt tiranisë – ajo mund të përfytyrohet tanimë në qark të mbyllur. Mungesa e pranisë së ideologut nuk e cenon për ne të mbyllurit e këtij qarku. Përkundrazi: shqiptarët, që prej gati një shekulli japin e marrin me themelet e ngrehinës së tyre të quajtur “Shqipëri” për ta rehabilituar atë, kanë nevojë të ndihen të mbështetur e të përçuar nga prania e padukshme e “të vdekurve”. Të njëjtën nevojë kanë provuar të gjitha breznitë, sado më të druajtura, të së kaluarës. “Njerëzit e mëdhenj janë shenjtorët laikë të kohës sonë”: ndërsa diskutonim për kultin e njerëzve të mëdhenj, e kam pas rrahur disa herë me Fratin këtë maksimë të Ernest Renanit. (Le ta them këtu që ai e donte Renanin, madje edhe kryeveprën e tij “La vie de Jesus”, ndonëse Vatikani e ka mbajtur dhe vijon ta mbajë këtë “në indeks”. Me ëndje të madhe përsëriste një tjetër maksimë të tijën, pikërisht nga “Jeta e Jezuit”: “Njerëzit më të mëdhenj të një kombi janë ata që ai i dënon me vdekje”; dhe dëftonte veten, duke bërë buzën në gaz gjithë shpoti: “Ja tek m’keni mue... nuk m’dënuen me dekë... a po merrni vesht?”) Më duhet të them edhe se nuk e pranonte Spencerin që vinte në lojë teorinë e “njeriut të madh” duke e quajtur më fort “teori dëfrimi” se “teori mësimi”.
Kulti për njerëzit e mëdhenj funksionon, simbas Renanit, si ligj i përjetshëm i shoqërisë njerëzore: asnjë brezni nuk mund t’i ikë atij, me gjithë ambicien për ta bërë botën nga e para. Është si një show i ri i pagëzimit të vjetër të të gjallëve me të vdekurit, pa të cilin kurrfarë shoqërie e qytetëruar nuk ka se si të ekzistojë. Në epokat e luftërave është fjala për një kryekomandant të madh; në epokat artistike për një poet të madhe ose një piktor të madh; në përmbysjet revolucionare për një lider të madh; në evolucionet e mendimit për një mendimtar që sfidon bashkëkohësit me mendimin e tij dhe ka sharmin t’i bëjë ata për vete. Në kultin modern të njerëzve të mëdhenj, ndoshta, vetëm forma dhe objekti janë të rinj, gjithçka tjetër është po aq e lashtë sa vetë shoqëria njerëzore. Në vend të “shenjtërisë” – me rrangullinat e saj, d.m.th. virtytet e saj – shoqëria moderne ka vënë si objekt përnderimi gjeninë ose, më thjesht, inteligjencën. Vetë njerëzit e mëdhenj në botën moderne janë të tillë, para së gjithash, për nga inteligjenca.
Por qëllon edhe ndonjë syresh që do ta meritonte të admirohej dyfish: sa për fuqinë e mendjes aq edhe për fismërinë e karakterit. Modeli që At Zef Pllumi na ka ofruar – jo vetëm të gjithëve ne që na qëlloi fati ta njihnim për së gjalli, por edhe atyre të cilëve do t’u mbetet t’ia lexojnë mendimin – konfirmon, nga njëra anë, faktin se me kultin modern të njerëzve të mëdhenj inteligjenca rezulton vërtet objekti më i lartë i vlerësimit, por dëshmon nga ana tjetër se, e trashëguar prej së lashti model mbas modeli, fismëria e karakterit nuk u zhbë te njerëz si ai. Madje ndonjëherë doli më përpara. Të gjithë që, siç thashë, na qëlloi fati ta njihnim “në mish e në eshtra” provuam se dhurata si ajo e “Luleve” të Shën Françeskut nuk qenë asgjë para dhuratës së tij më të vyer: mirësisë. “Mirësi të pafund”, e cilëson njëri prej gazetarëve. Atë gjë të mrekullueshme që është mirësia ai ua dhuronte të gjithëve, pa dallim. Edhe nuk mendoj se ishte fjala thjesht e vetëm për atë “Pax et Bonum” të Shenjtit të Asizit. Mua vetë m’u pat dashur njohja me të që të kuptoj se gjithë sa quhet kulturë, dije, talent, madje edhe gjeni nuk shërbejnë për gjë nëse mungon mirësia. Si dhe që të fantazoj se sa i lumtur do të ishte ai vend ku njerëzit i dhurojnë njëri-tjetrit mirësi.   
Mirëpo, pikërisht ndërsa shkruhet për këtë, një dyshim qet krye: a mund të jetë një shembull si i tiji model për masat? Për njerëzinë e rëndomtë? Virtyti, deri diku, është një gjë që imitohet, një gjë gati-gati ngjitëse në kuptimin infektiv: shenjtorët po, ata janë imituar dhe mund të imitohen. Një koprrac, të cilit i fanitet përpara Shën Françesku si model shenjtërie, mund të ndërgjegjësohet, të qortojë diçka nga vesi i vet duke u bërë disi “më i mirë”. Ndërsa inteligjenca – medet! – nuk është ngjitëse. Telashe të mëdha mund shkaktohen atëherë prej inteligjencës si model. Sa njerëz në këtë botë, duke lexuar njeriun e madh, i ka gënjyer mendja për veten e vet! Sa ambicie të dështuara kanë gjetur belanë nga shembulli i kuptuar keq i njerëzve të mëdhenj! Është fat i mirë kur, siç e thashë, nuk je klerik. Nuk je, madje, as françeskan... Atëherë e ke më të lehtë ta kuptosh se te njerëzit e mëdhenj si Frati ynë ne nuk admirojmë vetëm ata dhe modelin e tyre. Admirojmë edhe “veten”. D.m.th. admirojmë vendin tonë. Admirojmë fuqinë e mendjes e të shpirtit të grupimit qytetërimor të cilit i përkasim. Admirojmë fuqinë e asaj mendjeje dhe të atij shpirti që, së paku prej Rilindjes sonë kombëtare e këndej, janë bërë të vetëdijshëm, pra të dijshëm për veten. Vërejeni në intervistën për radion “Zëri i Amerikës” se sa i vetëdijshëm ishte At Zef Pllumi për këtë realitet që e ndërlidhte atë me paraardhësit: “Në shekullin e kaluem (XIX) Zoti i ka pasë falë dhantí Shqipnisë nji grup kësi njerëzish: ata që na sot i quejmë ‘rilindas’. Ishin të gjithë njerëz të mëdhaj, të cilët rrallë i kishte edhe Europa. Në daç për nga kultura, në daç për nga mendja e tyne e zgjuet dhe aftësia e tyne e veprimit...”.
Këta “njerëz të mëdhaj”, simbas tij, ia dërgon një populli Zoti. (Këtu nuk ka nevojë për sqarimin që ai besonte në Zot.) Nëse atë vetë, Fratin e ideologjisë së dashurisë përkundrejt dhunës dhe të lirisë përkundrejt tiranisë, e pati sjellë apo jo Zoti, mund të ngurrojmë ta themi. Por, edhe pa qenë klerikë, nuk mund të mos pranojmë se do të na lypset të presim për të parë se edhe sa kohë do të duhet derisa të na bëhet “dhantí” një tjetër i tillë.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›