Viktimat pa emër
Aktualiteti i jashtëzakonshëm shqiptar të jep material të shfrytëzosh dhe ta manipulosh lajmin e ri-hedhur si ta kërkojnë. Por kësaj here po abdikoj për diçka tjetër. Diçka të zakonshme. Që natyrisht do t’iu përpijë në një spirale paksa dramatike. mos kini frikë për gjërat që na përkasin. Sepse dramatike është dhe gjendja në disa sektorë të jetës së shqiptarve. Jemi ne aktorët që bëjmë dramën. Ky lajm bën pjesë në kronikën e zezë. Duhet të dini se filloi fushata e inventarizimi të vetëvrasjeve me fostoksinë për vitin 2009 dhe arriti në numrin 2, jo keq, duke menduar që vitin e kaluar kishin një renditje me 200-të tillë. Mos kini dert, numri i vetëvrasjeve do të rritet në muajt e ardhshëm në mënyrë sipër-rëndëse. Na duhet t’i bëjmë anatominë lajmit të pardjeshëm për të kuptuar diçka. Ta nisim nga rubrika e lajmeve të rretheve, tek të cilat gjendej informacioni se në Berat, fostoksina rrezikoi një tjetër jetë. Bëhet fjalë për një 35-vjeçar beratas, i cili rrezikon të fshijë jetën pas konsumimit të një sasie helmi të llojit fostoksinë. I përmendur me inicialet A. I, ky banor i qytetit të Beratit, është dërguar menjëherë pardje paradite në spital, në gjendje të rëndë shëndetësore. Mjekët thanë se sasia e konsiderueshme e helmit kishte vepruar në organizmin e tij dhe se është e vështirë të thuhet nëse ai do të mbijetojë. Shikoni, helmi fostoksinë është vdekjeprurës ma shumë mbi njerëzit sesa zhdukja e brejtësve apo e insekteve të ndryshme. Ka diçka që nuk shkon. E vetmja gjë që shkon në këtë hall është vdekja. Nuk shkon ekonomia e tregut. Por shkon pazari i lëndëve toksike. Legjislatorin nuk e zë lemza, kur ne qytetarët i përmendim këto brenga në biseda, në takime apo në kuvendime. Që në të vërtetë nuk janë halle pos pat grupe interesi. Sikur të kishte grupe interesi që bisedojnë për vetëvrasjen atëherë ky problem do të vëzhgohej. Por hiç. Dihet vdekja nuk është një problem derisa nuk të prek ty apo familjarët.
***
Mësohet se fatkeqi pa emër ka tentuar t’i japë fund jetës, pasi vuante nga çrregullime mendore. Pata shkruar për këtë holokaust të tmerrshëm e të heshtur të viktimave pa emër. Por hiç, asnjëri se vuri ujin në zjarr. Në kuptimin që duhet të jemi të vetëdijshëm për çka dëgjojmë e shohim për vetë faktin se Zoti na ka dhënë një gojë e dy veshë, me dëgjue dy herë e me fol një herë. Por humbja e një tjetër jete më bën skeptik dhe kështu po flas dy herë që të dëgjojnë një herë. Vetëvrasja është bërë një modus vivendi për shqiptarët.