E Diel, 1 Nëntor 2026

MEICO e Berishës, tregti me furnitorin kryesor të Osama Bin Laden-it

Zbardhen linjat e trafikimit me islamikët në vitet ’90. Si u ngrit rrjeti që furnizonte sudanezin Abdul Basit Hamza

Habjon Hasani
Për tre vite me radhë (’93-’96), njeriu që ka furnizuar organizatën e Bin Laden-it me armët dhe logjistikën më të nevojshme ka qenë kontraktori më i madh i kompanisë shqiptare MEICO. Gazeta “Albania” ka siguruar ekskluzivisht një pjesë të mirë të kontratave të MEICO-s të kësaj periudhe, ku natyrisht ato të lidhura me Abdul Basit Hamza janë më pikantet dhe më të mëdhatë për nga vlera financiare. Kontrata milionadollarëshe dhe armatime nga më të ndryshmet janë blerë në Shqipëri nga Abdul Basit Hamza, koloneli sudanez që, përveç lidhjeve me organizatën e Bin Ladenit, duket se figuron dhe në një lidhje edhe më domethënëse, e cila ka si stacion të fundit Sarajevën, në Bosnje. Në një gjyq të zhvilluar në shkurt të vitit 2001, një ish-bashkëpunëtor i Abdul Basit Hamza ka rrëfyer më konkretisht rolin e tij në lidhje me organizatën e Osama Bin Ladenit, duke zbuluar dhe lidhjet e Abdul Bazit Hamza me një lider sudanez ekstremist i quajtur Hasan al Turabi. Ky i fundit rezulton në raportet ndërkombëtare pikërisht si njeriu që strehoi në Sudan (deri në vitin 1996) Osama Bin Ladenin, por dhe ideatori (së bashku me shërbimin iranian) i ngritjes së një celule të fuqishme islamike në Europë me bazë qendrore në Bosnje.
Bosnje
Raporti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për hetimin e ngjarjeve të 11 shtatorit duket se ka hedhur dritë edhe mbi një sërë lidhjesh me disa personazhe që rezultojnë shumë aktivë në vitet 1993-1996 në vendin tonë. Ndërsa ushtaraku sudanez Abdul Bazit Hamza blinte në Shqipëri miliona dollarë armatim (ditët në vazhdim do të publikohen hollësisht kontratat), në raportet e Departamentit të Shtetit ai figuronte edhe si një ndër aktorët kryesorë të ngritjes së celulës islamike në Sarajevë së bashku me padronin e tij, Hasan Al Turabi dhe shërbimin sekret iranian. Këtë marrëdhënie e kthjellon më mirë vetë raporti i hetimit mbi ngjarjet e 11 shtatorit në të cilin thuhet e zezë mbi të bardhë se: “Ka patur një përqendrim serioz të elementëve radikalë ekstremistë në Bosnje-Herzegovinë. Çelësi i kësaj influence në Bosnje lidhej kryesisht me depërtimin nëpërmjet shoqatave humanitare. Këto shoqatqa u mbështetën fuqimisht nga ambasadori iranian në Zagreb, por edhe nga lideri politik ekstremist i Sudanit, Hasan al Turabi dhe miku i tij që ndodhej asokohe në Sudan, Osama Bin Laden”. Lidhja është e qartë, Hasan Turabi dhe Bin Laden dhanë kontributin e tyre në Bosnje përkrah shërbimit iranian, ndërsa zbatimin në terren e kryente Abdul Basit Hamza, i cili ka bërë blerje dhe te MEICO.
Sudanezi
Kontraktori milionadollarësh i MEICO-s, Abdul Basit Hamza, nuk përfaqëson aspak një korrier të thjeshtë të radikalëve islamikë të Sudanit, Bin Ladenit apo Iranit. Nëse i referohesh një artikulli të 28 tetorit të vitit 1998 të gazetarit të vrarë në Pakistan, Daniel Pearl (The Wal Street Journal, “In Sudan Bombing, 'Evidence' Depends on Who Is Viewing It ) del e qartë se Abdul Basit Hamza ndër të tjera është edhe në ortakëri me terroristin më të kërkuar të planetit. “Rezulton se Abdul Basit Hamza ka ndërtuar disa rrugë në Sudan së bashku me Osama Bin Ladenin. Kur Abdul Basit Hamza i ofroi Bin Ladenit të investonte dhe në telekomunikacion, ai e refuzoi pasi terroristët kryesorë që e mbështetnin nuk kishin dëshirë të ishin në ortakëtri me autoritetet qeveritare sudaneze”, - shkruhet në artikullin e Pearl. Në fakt, miqtë e Bin Ladenit i bënë mirë llogaritë kur nuk pranuan ortakëri me qeverinë sudaneze, pasi në vitin 1996 autoritetet sudaneze ishin të gatshme ta dorëzonin Bin Ladenin te amerikanët, por këta të fundit nuk kishin ende asnjë akuzë zyrtare mbi të. Pas këtij viti, me ndihmën e miqve të tij në Sudan, Bin Ladeni u zhvendos në Afganistan.

Dëshmia e Jamal Al-Fadl: ”Abdul Bazit Hamza i dha Bin Ladenit telefonin e parë satelitor”

UNITED STATES DISTRICT COURT S(7) 98 Cr. 102
SOUTHERN DISTRICT OF NEW YORK

New York, N.Y.
February 6, 2001
10:00 a.m.

UNITED STATES OF AMERICA
V.
USAMA BIN LADEN, et al.,

......Gjyqtari: Kush tjetër ka qenë pjesë e grupit të Osama Bin Ladenit në Sudan?

Jamal Al Fadl: Po ka qenë dhe dikush tjetër me të cilin kam ndenjur, madje disa kohë, të cilin e thërrisnim M-U-Q-A-D-E-M

Gjyqtari: E dëgjova qartë unë, quhet M-U-Q-A-D-E-M? Çfarë është ky emri, apo ndonjë titull?

Jamal Al Fadl: Jo, është titull, sepse ai mbante në spaletë një shqiponjë dhe një yll.

Gjyqtari: Kjo do të thotë se ai ishte oficer?

Jamal Al Fadl: Po, ai ishte ushtarak

Gjyqtari: Ushtarak i cilës ushtrie?

Jamal Al Fadl: I ushtrisë sudaneze

Gjyqtari: Po emrin si e kishte?

Jamal Al Fadl: Po. Abdul Baset Hamza

... Gjyqtari: Gjatë viteve që Osama Bin Laden ka qëndruar në Sudan, si komunikonte me bashkëpunëtorët e tij?

Jamal Al Fadl: Nëpërmjet radiomarrësve.

Gjyqtari: Kush e siguronte logjistikën e komunikimit?

Jamal Al Fadl: E siguronte Muqadem Abdul Baset Hamza dhe Abu Hajer Al Iraqi.

Gjyqtari: Po telefon satelitor kishte Osama Bin Laden?

Jamal Al Fadl: Kishte vetëm një. Ia kishte siguruar Muqadem Abdul Baset Hamza.

_____________
*Marrë dhe përshtatur nga faqja zyrtare elektronike e Departamentit të Drejtësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës

25 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›