E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qofsha i mallkuar, nëse hakmerrem

Philippe Sollers

Si të presësh mohimin e mohimit, asgjënë e asgjëje, madje edhe pohimin? Kjo i shqetëson mjaft herë të panënshtruarit.
Dhe ata besojnë se janë të ngritur lart, të edukuar, të terrorizuar, të shtruar, por prej tyre arrijnë vetëm rezultate minimale; ata mësojnë shpejt në një mënyrë anormale të lexojnë e të shkruajnë, por kjo është njësoj sikur ky talent i veçantë të mos vlente asgjë, ata e ruajnë atë për veten e tyre, dhe nuk kuptohet çfarë projektojnë të bëjnë me të.

1.
Ata nuk marrin pjesë lirisht në jetë dhe nuk ngjajnë të joshur nga sakrificat e mundimeve, nga asketizmi e disiplina.
Djaloshi do të jetë gjasme një rrogëtar, një dezertor, një shtinjak, një i paaftë për më të voglën punë fizike, ushtarake, policore, financiare, funksionarësh e universitarësh.
Vajza nuk do që të jetë aktore, as manekine, as profesoreshë, as mjeke, as e angazhuar për reklamë, as një nënë e mirë dhe, akoma më pak, një histerike mistike ose me mungesë oreksi.
Çfarë mbetet atëherë?
Arti?
Por edhe në këtë drejtim, tipi i panënshtruar qëndron në këtë prejardhje, mirëpo ka të ngjarë që është fjala për një art jo të ngjashëm me atë që bashëkohësit e quajnë të tillë (dmth, sot çfarëdo gjëje kulturore).

2.
Atëherë, arti i të jetuarit?
Kjo nuk është e pamundur, mirëpo pikërisht kjo ngjall kaq frikë.
Çfarë doni ju, këta janë të papërgjegjshëm. Thuhet se ata tallen me famën e tyre. Ata vishen me çfarëdo qoftë (por nganjëherë gjithashtu me një elegancë të pashpjegueshme), ata i harxhojnë tërë paratë e tyre, i ndërpresin marrëdhëniet e tyre nga një çast në tjetrin, ngrihen e ikin nga darkat pa kërkuar falje, harrojnë miqtë, gratë e tyre, burrat e tyre, dashnorët e dashnoret e tyre, nuk bëjnë dhurata dhe s’japin asnjë të dhënë për sëmundjet ose gjendjen e tyre shpirtërore.
Këta janë të pashoqërueshëm, por nuk janë madje as konservatorë, të pakontrollueshëm, të pambledhshëm.

3.
Të parë keq nga e djathta, të parë keq nga e majta, të vjellë nga qendra, të huaj për të veçuarit nga shoqëria, ku dëshiron t’i vendosim ata?
Përtej botës? As atje jo.
Në propagandën e të panënshtruarve të vjetër mund të hasen gjëra të tilla: “Po gjendja aktuale është më së pakti shumë e rëndë. Sepse unë mund të them që fitorja më përket mua, kërcitja e dhëmbëve, zhurmërimat fishkëllyese të zjarrit, kufizimi i psherëtimave të fëlliqura. Gjithë kujtimet shumë të fëlliqura shlyhen. Keqardhjet e mia të fundit krisin e ikin, xhelozitë janë për lypsat, cubat, miqtë e vdekjes, të prapambeturit e të gjitha llojeve. Qofsha i mallkuar, nëse do të hakmerrem! Duhet të jesh absolutisht modern.”

Përktheu Fatmir Alimani

18 Shkurt 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›