E Diel, 1 Nëntor 2026

Vendim për shpalljen zi kombëtare dhe për organizimin e ceremonisë funebre zyrtare, në nderim të të ndjerit z.Sabri Godo

Këshilli i Ministrave, për të nderuar kujtimin e të ndjerit Sabri Godo, shkrimtar dhe politikan i shquar, shpall zi kombëtare, nga ora 12.30 deri në 14.30,  ditën e diel, datë 4.12.2011. 

V E N D I M

PËR

SHPALLJEN ZI KOMBËTARE DHE PËR ORGANIZIMIN E CEREMONISË FUNEBRE ZYRTARE, NË NDERIM TË TË NDJERIT,  Z.SABRI GODO, SHKRIMTAR DHE POLITIKAN  I SHQUAR


Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 4, të nenit 4, të ligjit nr.8926, datë 22.7.2002, “Për formën dhe përmasat e flamurit kombëtar, përmbajtjen e himnit kombëtar, formën dhe përmasat e stemës së Republikës të Shqipërisë dhe mënyrën e përdorimit të tyre”, dhe të pikave 8 e 11, të kreu VII, të Ceremonialit Zyrtar, të Republikës së Shqipërisë, të miratuar me vendimin nr.229, datë 23.4.2004, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave


V E N D O S I:


1. Shpalljen zi kombëtare, nga ora 12.30 deri në 14.30,  ditën e diel, datë 4.12.2011, në nderim të të ndjerit, z.Sabri Godo, shkrimtar dhe politikan i shquar.

2. Në të gjitha institucionet, shtetërore dhe publike, të ulet flamuri kombëtar në gjysmë shtizë dhe në orën 14.30 të mbahet një minutë heshtje.

3. Ceremonia e homazheve të organizohet ditën e diel, datë 4.12.2011, ora 12.30 deri 14.30, në mjediset  e sallës së seancave plenare të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë.

4. Radio-Televizioni Publik Shqiptar, gjatë zhvillimit të ceremonialit funebër zyrtar, të transmetojë muzikë funebre.

5. Shpenzimet e varrimit dhe të ceremonialit të përballohen nga buxheti i vitit 2011, miratuar për Ministrinë e Punëve të Jashtme.

6. Ngarkohet Ministria e Punëve të Jashtme për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.


K R Y E M I N I S T R I

SALI  BERISHA


03/12/2011

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›