E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha zhvillon një vizitë ngushëllimi në familjen e të ndjerit Sabri Godo

Kryeministri Berisha, i shoqëruar nga bashkëshortja e tij znj. Liri Berisha, zhvilloi sot në mbrëmje një vizitë ngushëllimi në familjen e politikanit dhe shkrimtarit të shquar z. Sabri Godo, i cili u nda nga jeta në moshën 82 vjeçare.

Kryeministri Berisha i shprehu ngushëllimet familjarëve dhe të afërme të të ndjerit Sabri Godo për humbjen e njeriut të tyre të dashur.

Duke vlerësuar lart figurën dhe kontributin e Sabri Godos në politikë dhe letrat shqipe, Kryeministri Berisha tha se “politika shqiptare humbi më të urtin e saj, letrat shqipe humbën korifeun e romanit historik të tyre, mendimi intelektual shqiptar humbi njërin nga mendimtarët më të shquar”.

Pas vizitës, në një prononcim për mediat, Kryeministri Berisha u shpreh: “Dëshiroj t’i shpreh ngushëllimet e mija më të thella, pikëllimin tim, dhembjen, familjes Godo për këtë humbje të madhe, të pakompesueshme, të njërit prej personaliteteve më të shquara të politikës dhe letrave shqipe, Sabri Godos.

Sabri Godo këto njëzet vite, me veprimtarinë e tij politike, u shndërrua në simbol të urtësisë, maturisë, mençurisë së politikanit. Ai themeloi partinë e dytë opozitare në Shqipëri, e drejtoi atë me aftësi dhe mençuri të madhe, dha një kontribut thelbësor në ligjet dhe procesin e ligjeve themelore të vendit, dha kontribut të madh në të gjithë dialogun midis forcave politike në Shqipëri, por edhe midis faktorëve politikë shqiptarë jashtë Shqipërisë.

Sabri Godo ka një kontribut themelor në letrat shqipe. Me veprat e tij për Skënderbeun, Ali Pashën, Sali Butkën, ai është korifeu i romanit historik shqiptar.

E kam njohur prej shumë dekadash. Ruaj kujtimet e një intelektuali të shquar, një atdhetari të vërtetë, një mendimtari të shquar. Me ndarjen e tij nga jeta politika shqiptare humbi më të urtin e saj, letrat shqipe humbën korifeun e romanit historik të tyre, mendimi intelektual shqiptar humbi njërin nga mendimtarët më të shquar.

Duke shprehur edhe një herë ngushëllimet për ndarjen nga jeta të politikanit, shkrimtarit, personalitetit të shquar të vendit, lutem së bashku me familjen e tij, miqtë e shumtë që ai ka sot në Shqipëri dhe kudo, që shpirti i tij të gjejë paqen e merituar.”


03/12/2011

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›