E Diel, 1 Nëntor 2026

METE: Përpunimi i anijeve të naftës dhe gazit, të përqendrohet në zonat e miratuara nga KRRTRSH

Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, me anë të një njoftimi për shtyp sqaron arsyet e shtyrjes së afatit të zbatimit të VKM Për ndërprerjen e veprimtarisë së përpunimit të anijeve që transportojnë naftë, gaz dhe nënprodukte të tyre në portet e Durrësit dhe të Shëngjinit, që parashikonte ndërprerjen e veprimtarisë së përpunimit të naftës dhe gazit në këto porte brenda 18 muajve nga hyrja në fuqi e këtij vendimi. Sipas kësaj deklarate mësohet se në zbatim të vizionit strategjik të qeverisë, për ti zhvilluar aktivitetet e transportit të naftës dhe gazit në zona të ndërtuara enkas për këtë qëllim, si ajo e Porto Romanos në veri të Durrësit dhe zona e ish Uzinës së Sodë PVC në Gjirin e Vlorës, METE ka informuar në kohë të gjitha subjektet dhe institucionet e interesuara si dhe ka marrë vendimet përkatëse për ndërtimin e kësaj infrastrukture, e cila është në përfundim në të dyja zonat, përkatësisht nga shoqëria Romano Port sh.a. dhe La Petrolifera Italo Albaneze sh.a. Në mbledhjen e fundit të Këshillit të Ministrave është vendosur që ky afat të shtyhet deri në 30 qershor 2009. Ky vendim është marrë duke pasur parasysh se deri në përfundimin e afatit 18 mujor për ndërprerjen e përpunimit të anijeve që transportojnë naftë, gaz dhe nënprodukte të tyre në portet e Durrësit dhe të Shëngjinit, nuk ishte bërë ende funksional Pontili i Porto Romanos, thuhet në deklaratë. Gjithashtu, bëhet e ditur se për të mos ndërprerë aktivitetin e import-eksportit të nënprodukteve të naftës, Ministria e Ekonomisë Tregtisë dhe Energjetikës, i ka kërkuar Këshillit të Ministrave këtë shtyrje të afatit, ndërkohë që shpreh vullnetin e qeverisë shqiptare që aktiviteti i përpunimit të anijeve që transportojnë naftë, gaz, dhe nënprodukte të tyre si dhe aktiviteti i transportimit dhe depozitimit të këtyre produkteve të bregdetin shqiptar të përqendrohet vetëm në zonat e miratuara nga KRRTRSH-ja.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›