E Diel, 1 Nëntor 2026

MPPTT, hedh poshtë akuzën e PS. Procesi i legalizimeve në fazën përmbyllëse

Ministria e Transportit përgënjeshtron akuzat a Partisë Socialiste, sipas së cilës qeveria ka gënjyer shqiptarët për legalizimin e banesave, i cili duhet të kishte mbaruar në fund të vitit të parë të qeverisjes së tyre. Nëpërmjet një deklarate për shtyp, të MPPTT bëhet e ditur se procesi është në fazën përmbyllëse, ku 21 mijë shtëpi e apartamente janë legalizuar dhe 130 mijë pasuri të tjera mbyllin procedurat. Duke hedhur poshtë deklaratën e bërë nga kryetari i komisionit të ligjeve në PS, Ylli Manjani, në deklaratën për shtyp të MPPTT ky i fundit cilësohet si imituesit e kreut të Bashkisë. Një nga imituesit e Kryetarit të Partisë së Bashkisë u shfaq i impostuar për të lëshuar gënjeshtrat e radhës, këtë herë për procesin e legalizimeve të ndërtimeve informale në vend. Përfaqësuesi politik i asaj partie që i quajti banorët e zonave informale me epitetet më të padenja dhe bëri çdo përpjekje për të bllokuar procesin e legalizimit, gënjeu publikisht duke thënë se procesi nuk ka filluar, thuhet në deklaratën për shtyp, ku theksohet se ky proces ndodhet në fazën përmbyllëse. Duke hedhur poshtë deklaratën e PS, theksohet se vetëm gjatë dy javëve të fundit janë dhënë lejet e legalizimit për mbi 21 mijë shtëpi e apartamente, ndërkohë që sipas afateve të përcaktuara, 15 ditë pas dhënies së lejes së legalizimit, zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme bën hipotekimin e këtyre pasurive, duke shënuar kështu finalizimin e të gjitha procedurave, ku janë dhe 130 mijë pasuri të tjera, që brenda një kohe po kaq të shkurtër dhe me të njëjtën shpejtësi do të mbyllin procedurat. Kjo fazë shënon përmbushjen e një prej angazhimeve më të rëndësishme të qeverisë dhe futjen në ligjshmëri të qindra mijëra pasurive të krijuara me mund dhe me djersë nga qytetarët shqiptarë. Asgjë nuk mund ta pengojë më këtë proces, as sulmet politike të Partisë Socialiste, as përpjekjet gjyqësore apo administrative të Partisë së Bashkisë, as sokëllimat e individëve si Manjani, në xhepat e të cilit mund të gjenden ende vula false të antikontrabandës, thuhet në deklaratën për shtyp të MPPTT.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›