E Shtunë, 31 Tetor 2026

Manjani: Letrat e Memisë nuk janë vërtetim pronësie

Kryetari i Komisionit të Ligjeve, Sigurisë dhe Administratës Publike në PS, Ylli Manjani deklaroi se qeveria i ka gënjyer shqiptarët për lejet e legalizimeve. Sipas tij, kryeministri Berisha dhe Drejtori i Përgjithshëm i Legalizimeve, Shaban Memia gënjyen, sepse në programin e tyre politik të parealizuar, legalizimin duhet ta kishin mbaruar në fund të vitit të parë të qeverisjes së tyre. Dhe sot, tha Manjani jemi në fund të mandatit të tyre dhe procesi sigurisht që nuk ka përfunduar. Saliu dhe Shabani gënjyen, sepse ligji për legalizimet i hartuar dhe i ndryshuar nga vetë ata të dy, tashmë duhet të kishte dalë nga fuqia juridike, sepse procesi duhet të kishte mbaruar para 2 vitesh. Në këtë rast më shumë sesa gënjyen, Saliu dhe Shabani e shkelën ligjin e tyre me të katër këmbët, u shpreh Manjani. Ai tha se sipas ligjit të legalizimit Berisha dhe Memia mund të japin vetëm një copë letër që quhet leje legalizimi, dhe jo vërtetim pronësie. Këtë vërtetim, shpjegoi Manjani qytetarët do ta marrin vetëm në zyrat e Regjistrimit të Pasurive dhe jo në ceremonitë elektorale të Saliut dhe Shabanit. Sipas Manjanit, ajo copë letër që ju dhanë nuk i shton asnjë vlerë pronës së legalizuar. Jo vetëm kaq, por as Saliu, as Shabani, e as kush tjetër në këtë qeveri nuk garanton cilësinë e këtyre ndërtimeve. Ata lanë duart nga përgjegjësia për cilësinë e këtyre ndërtimeve, kur me ligj vendosën të mos mbajnë asnjë përgjegjësi, tha Manjani. Ai deklaroi se Saliu dhe Shabani as që menduan qoftë dhe për një minutë në këto katër vite për të urbanizuar zonat informale dhe për ti bërë ato pjesë integrale të qyteteve. Nuk menduan sepse fokusi i tyre nuk ishte e as është mirëqenia e këtyre njerëzve, por damkosja si të legalizuar elektoral.  Kështu kanë vendosur të tallen dhe të fyejnë inteligjencën e këtyre njerëzve si Saliu ashtu edhe Shabani, tha Manjani. Ai e cilësoi procesin e legalizimeve në Shqipëri, si turpi i shtetit të tranzicionit, ku Saliu dhe Shabani përfaqësojnë pjesën më të madhe të fajit. Manjani deklaroi se PS mbetet e angazhuar, që ky proces jo vetëm të përfundojë në kohë, por të fillojë procesi i urbanizimit të këtyre zonave duke i bërë ata familje pjesë të qytetit ku kanë zgjedhur të banojnë. Ky proces do të përfundojë pas 28 Qershorit kur bashkë me turpin për dështimin shtetëror në menaxhimin e këtyre zonave informale të na hiqet edhe pengesa politike  që quhet Sali Berisha, përfundoi Manjani.
 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›