E Diel, 1 Nëntor 2026

METE Shtohen investimet e huaja ne energji

Sektori energjetik në vendin tonë ka tërhequr me qindra investitorë të huaj dhe vendas.

Sipas Ministrisë së Ekonomisë, së fundmi kanë shfaqur interes investitorët austriakë , të cilët e kanë vlerësuar tregun shqiptar si një mundësi për rritjen e investimeve të tyre.

Ka qenë pikërisht grupi austriak “Global HidroEnergy’, i cili ka paraqitur të rejat më të përparuara të teknologjisë bashkëkohore, që përdoren në tregun botëror me standardet më të larta për HEC-et.

Vendi ynë ofron potenciale të mëdha energjetike të pashfrytëzuara.

Aktualisht, përdoren 40% e burimeve ujore për HEC-et.
Sipas METE, vlera totale e investimit, për 100 kontratat koncesionare që janë nënshkruar pas vitit 2006, arrin në rreth 260 miliardë lekë ndërsa për të 14 HEC-et vendore që përfundojnë brenda këtij viti, vlera e investimit arrin në 6.9 miliardë lekë.

Në projektet koncesionare që po zbatohen nga investitorë të huaj, investimet arrijnë në rreth 200 miliardë lekë. Në total, vlera e investimit i tejkalon shumat e 470 miliardë lekëve vetëm në sektorin e HEC-eve.

Por atraksion për investime në sektorin energjetik të vendit ka paraqitur edhe Kina.

Pak ditë më parë përfaqësues të qeverisë kineze të provincës Guinzhou, kanë biseduar me drejtues të KESH për të investuar në sektorin energjetik, kryesisht për projektin në sigurinë e digave.

Delegacioni kinez është treguar i gatshëm të mbështesë Projektin e sigurisë së digave që po zbatohet nga Korporata Elektroenergjetike Shqiptare.

Një tjetër projekt ku Kina shfaqi interesin e saj për të bashkëpunuar ka qenë edhe ai i ndërtimit të hidrocentralit të Skavicës.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›