Sëmundjet e zemrës, mjekët: Po preken moshat e reja
Problemet kardiovaskulare që zenë vendin e parë në listën e sëmundjeve në vend po prekin edhe moshat e reja. Duhani dhe mbipesha po shtojnë gjithnjë e më shumë sëmundjet e zemrës tek shqiptarët, dhe shqetësimi më i madh për mjekët është se nëse më parë këto sëmundje ishin të shpeshta tek 50-vjeçarët, tani ato hasen shpesh edhe tek moshat e reja, duke filluar dhe nga ato 20-vjeçare. Shefi i Pavijonit të Kardiologjisë në QSUT, Artan Goda, tregon se tashmë sëmundjet kardiake prekin jo më vetëm persona në moshën 50 vjeç e lart, por edhe ata 30 vjeç. “Për fat të keq, sëmundjet kardio-vaskulare në të gjithë botën edhe në vendin tonë janë në rritje dhe kjo për shumë arsye. Janë disa faktorë që ndërhyjnë fuqishëm siç është përdorimi i ushqimeve të tepërta, jeta sedentare, si dhe disa zakone të gabuara si pirja e duhanit apo alkoolit. Edhe stresi i jetës vjen duke u shtuar me rritjen e ritmit të jetës në kohët moderne”, - pohon kardiologu. Ditën e djeshme është zhvilluar konferenca e parë për Kardiologjinë Invazive që bën të mundur zgjidhjen përfundimtare të problemeve të zemrës, të enëve të gjakut që ushqejnë muskujt e zemrës. Shefi i Kardiologjisë ka theksuar se më parë duhet të përpiqemi të parandalojmë, ndërkohë që zgjidhje tashmë janë edhe ndërhyrjet koronare. I pranishëm në konferencë ka qenë i pranishëm edhe ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, i cili ka vlerësuar ekipin e mjekëve kardiologë që punojnë në QSUT, duke garantuar se do të vërë në dispozicion të tyre aparatura të teknologjisë së fundit. Gjatë konferencës është transmetuar “live” një ndërhyje koronare, ku mjekët që kryenin ndërhyrjen kanë komunikuar direkt me profesorët e pranishëm në sallë.