Skandali i ilaçeve, Prokuroria kërkon burg për çiftin e mjekëve
Zgjerohen hetimet për të tjerë të dyshuar si të përfshirë në skemën e vjedhjes së ilaçeve nga Spitali Onkologjik. Policia në kërkim të farmacive ku shiteshin ilaçet me pullë spitalore
Tiranë Prokuroria e Tiranës dorëzoi dje në Gjykatë kërkesën për caktimin e masës së sigurimit “arrest me burg” ndaj bashkëshortëve Nikoll dhe Jetmira Koleci, të dyshuar për vjedhjen e ilaçeve të Spitalit Onkologjik në QSUT. Po ashtu, e njëjta masë sigurimi është kërkuar edhe për shtetasin Andronaq Zili, i cili kryente transportin e ilaçeve të shtrenjta nga farmacia e Onkologjikut drejt banesës së çiftit Koleci në kryeqytet. Burime të rezervuara pohuan se oficerët e policisë që kanë në dorë dosjen mbi skandalin e vjedhjes së ilaçeve, kanë marrë në pyetje të dyshuarit, por askush prej tyre nuk ka pranuar të jap sqarime. Madje as Andonaq Zili, i cili kryente rolin e transportuesit të medikamenteve, nuk ka dhënë asnjë detaj për grupin e hetimit, duke deklaruar se nuk ishte në dijeni të faktit që këto ilaçe nuk mund të dilnin jashtë spitalit. Gjykata e Tiranës pritet të marrë në shqyrtim kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës së sigurisë “arrest me burg” ndaj farmacistes së spitalit Onkologjik, Jetmira Koleci, bashkëshortit të saj mjek dhe transportuesit të ilaçeve. Çifti Koleci u prangos në flagrancë teksa transportonte një sasi të konsiderueshme ilaçesh të cilat kishin pullën spitalore me qëllim shitjen e tyre në farmacitë private. Dyshimet e para bien mbi farmacisten e Onkologjikut, Jetmira Koleci, e cila sipas hetimit, mund të ketë nxjerrë jashtë ambienteve të spitalit barnat e shtrenjta për t’i shitur në farmacitë private. Paralelisht me zbardhjen e këtij rasti, Prokuroria po vijon hetimet për gjetjen e personave të tjerë, që dyshohet se janë implikuar në rrjetin e vjedhjeve të ilaçeve të shtrenjta. Të gjitha barnat mjekësore që u kapën në garazhin e familjes Koleci, sipas hetimit janë ilaçe të shtrenjta me të cilat duhet të kurohen pacientët e Spitalit Onkologjik. Për këtë arsye, ato kanë edhe vulën spitalore, çka do të thotë se nuk mund të tregtohen në farmaci private, por përdoren vetëm për pacientët e shtruar në këtë spital. Grupi i hetimit dyshon se në skemën që mund të ketë sjellë qindra mijëra euro të ardhura janë përfshirë edhe persona të tjerë, të cilët do të merren në pyetje në ditët në vijim.