E Shtunë, 31 Tetor 2026

QSUT s’ka ende ilaçe, Djegie-Plastika pa gërshërë

SHKRUAN: Jonida Tashi 25-09-2011 11:34

Mungesa e stërzgjatur e ilaçeve në spitalin më të madh të vendit “Nënë Tereza” nuk çudit më asnjë nga bluzat e bardha që punojnë në të. Personeli mjekësor ngre supet se nuk ka dijeni për çdo mungesë, megjithëse dy ditë më parë në një nga pavijonet më të rëndësishme në QSUT, atë Onkologjik, ku pacientët luftojnë realisht me “vdekjen” ka dalë një sasi e madhe ilaçesh për t’u tregtuar në farmacitë private. Ndërkohë që edhe më e trishtë bëhet situata, kur prej kohësh pacientëve të shtuar te Onkologjiku u është komunikuar vazhdimisht se nuk ka ilaçe, dhe për këtë arsye ata janë detyruar t’i blejnë vetë ato, qoftë edhe me para borxh, pasi bëhet fjalë për medikamente të shtrenjta. Edhe pas këtij skandali, në QSUT nuk ka ndryshuar asgjë, madje brenda pavijoneve të tij pacientët duhet të ndeshen edhe me mungesa materialesh elementare mjekësore, siç janë gërshërët, që mungojnë në Pavijonin e Djegie-Plastikës, aty ku kryhen edhe operacionet e djegieve si dhe ato plastike. Pacientët e shtruar në Pavijonin e Djegieve tregojnë se fashon që infermierët përdorin për t’u lidhur plagët e mjekuara me betadinën e blerë nga vetë ata dhe jo spitali, ua presin me thikë, sepse nuk ka më as gërshërë. Kjo mund të jetë çudia më e madhe në spitalin “Nënë Tereza”, kur në një pavijon të tij nuk gjenden më asnjë palë gërshërë, jo më medikamente mjekësore. Ndërkohë që sipas QSUT-së, arsyeja që nuk është mbyllur tenderi i materialeve të mjekimit është se synohet të merren materiale të një cilësie të lartë. Lidhur me medikamentet, pacientëve u janë dhënë me numër ato që ka pasur në gjendje pavijoni, ndërsa pjesën tjetër u është dashur ta blejnë vetë jashtë spitalit. Në fakt, shqiptarët kanë vite që i blejnë ilaçet jashtë dyerve të spitaleve, megjithëse ato duhet t’u ofroheshin pa pagesë. Këtë e pohojnë vetë pacientët, të cilët shprehen se në jo pak raste janë detyruar të blejnë medikamente në farmaci. Arsyeja që ata kanë marrë nga mjekët është se spitali nuk ka fonde për të blerë barnat e mjaftueshme, dhe në këto kushte, mjekët u kanë dhënë si të vetmen zgjidhje farmacitë private. Shumë prej pacientëve thonë se mjekët i drejtojnë nëpër farmaci të veçanta dhe kjo për ta është e papranueshme, pasi tregon qartë lidhjen që ekziston mes bluzave të bardha dhe bizneseve private. Edhe një ditë më parë, tema e ditës në spitalin “Nënë Tereza” ka qenë pikërisht “vjedhja” e ilaçeve te Onkologjiku, ndonëse ky i fundit në pamje të parë dukej pavijoni më i qetë, ku rrallë të zinte syri të hynin e dilnin njerëz, ndërkohë që koka e çdo kalimtari që kalonte para tij kthehej në mënyrë institiktive drejt tij. E ndërsa pacientët ankohen vazhdimisht për mungesën e ilaçeve, sipas të dhënave nga drejtoria e QSUT-së, ka nisur tenderimi i 200 lote të ndryshme ilaçesh, ku për një të tretën e tyre ka përfunduar procesi i nënshkrimit të kontratave dhe një pjesë tjetër është në proceset përfundimtare. Pak kohë më parë, drejtoria e QSUT-së bërë të ditur se ka përfunduar lidhja e kontratave për gjithë citostatikët dhe onko-hematologjinë, është mbyllur tenderi për të gjitha sëmundjet kronike dhe vlerësuesit e gjakut, ndërkohë që pritet furnizimi i pavijoneve me barna.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›