METE: Zgjedhja e Jakajt në krye të Dhomës së Tregtisë është "nul"
Ish-zëvendësministri i Transporteve është akuzuar në vitin 2007 për korrupsion në tenderët e rrugëve
Minstria e Ekonomisë thekson se procesi gjyqësor për ish-zëvendës ministrin nuk ka mbaruar ende
TIRANË- Ministria e Ekonomisë e quan të pavlefshëm zgjedhjen e Nikolin Jakajt në krye të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë. Në një njoftim për shtyp të shpërndarë në orët e mbrëmjes së djeshme, METE e cilëson të papërfunduar çështjen e hapur nga prokuroria për ish-zëvendës ministrin e Transporteve me akuzën e ushtrimit të korrupsionit gjatë zhvillimit të tenderëve për shtrimin e rrugëve. "METE është informuar se Prokuroria vazhdon të ndjekë çështjen me z. Jaka në Gjykatën e Lartë. Ky fakt tregon se pafajësia e tij nuk është një proces i mbyllur nga gjyqësori", -citohet në njoftimin e Ministrisë së Ekonomisë.
Sipas METE-s, zgjedhja e Jakajt në krye të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë është bërë në kundërshtim me statusin e institucionit, i cili thotë se asnjë anëtar asambleje nuk mund të zgjidhet nëse është i dënuar me vendim gjykate të formës së prerë për vepra penale. "Në vështrim të parë, përveç ngutjes dhe hapësirave të pakta për të bërë fushatë nga kandidatët rivalë, duket qartë që zgjedhja e Kryetarit të ri bie ndesh me statutin e institucionit. Nikolin Jaka pretendon se ka fituar pafajësi nga gjykata në lidhje me dënimin dhe burgosjen e tij për vepër penale, por nuk kishte paraqitur përpara asamblesë së Dhomës së Tregtisë Tiranë asnjë dokument që vërteton këtë, kusht i domosdoshem sipas kërkesave të statutit", - theksohet më tej në njoftim.
Nikolin Jakaj u zgjodh dje në krye të Dhomës së Tregtisë dhe Indutrisë me 60 vota pro pas dorëheqjes së Gjok Uldedajt për shkak të mandatit të deputetit.
Ish-zëvendës ministri i Transporteve, Nikolin Jakaj, eshte arrestuar bashkë me një grup funksionarësh të kësaj ministrie në vitin 2007 për korrupsion gjatë zhvillimit të tenderëve për ndërtimin e disa rrugëve në vend.
Në fund të gjykimit, Gjykata e Tiranës e dënoi Jakajn me 1 vit e 20 ditë burg, 800 mijë lekë gjobë, si dhe heqje të së drejtës për të ushtruar funksion publik për tri vite.
Pas dhënies së masës për të akuzuarit, Gjykata e Apelit e shpalli të pafajshëm duke e liruar nga akuzat. Pas kësaj prokuroria vazhdoi ta ndjekë këtë çështje në Gjykatën e Lartë. Ky eshtë shkaku që METE e ka cilësuar si të pavlefshëm zgjedhjen e tij në këtë post, pasi sipas saj çështja ende nuk është mbyllur.