E Shtunë, 31 Tetor 2026

Thikë në bark shokut për politikë

TIRANË- Prokurorisë së kryeqytetit, iu deshën pesë muaj kohë për të zbardhur ngjarjen e majit të këtij viti, kur i pandehuri Halil Prengzi qëlloi me thikë dy herë shokun e tij pas grindjes për partitë politike. Ky fakt bëhet i ditur nga institucioni i akuzës, i cili përfundoi fazën hetimore dhe dorëzoi dosjen penale me nr.2007 pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, ku kjo e fundit ka caktuar me anë të shortit elektronik treshën gjykuese që do drejojë Artan Broci. Sipas organit të akuzës, i pandehuri Halil Prengzi, mesditën e 18 majit 2009 ka konsumuar veprën penale të "vrasjes me dashje të mbetur në tentativë" ndaj fqinjit dhe mikut të tij Naim Rama në një lokal pranë Institutit Bujqësor në Kamëz. Sipas dosjes penale me nr.2007, i pandehuri 49- vjeçar Prengzi si çdo ditë tjetër ka dalë në lagje për të luajtur domino në lokalin pranë banesës së tyre pranë Institutit Bujqësor të Kamzës. Aty ka takuar mikun e tij prej 20 viteve njëkohësisht edhe komshi me banim shtetasin Naim Rama, me të cilin kanë filluar të luajnë domino. Por, loja ka marrë një kahje tjetër kur mes tyre ka filluar debati për politikën, debat ky që ka pasuar me fyerje e kërcënime duke degjeneruar në zënka me grushta. Gjatë rrahjes mes tyre jashtë derës së lokalit i pandehuri Prengzi ka nxjerrë thikën që mbante me vetë dhe e ka qëlluar dy herë komshiun Rama, duke e lënë të plagosur. Plagë të cilat i janë shëruar në Spitalin Ushtarak, duke iu nënshtruar edhe një operacioni kirurgjikal. Sipas dosjes, pritet që tashmë kryesuesi i treshes gjykuese Broci të caktojë datën e zhvillimit të seancës së parë gjyqësore.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›