E Shtunë, 31 Tetor 2026

METE dhe qeveria japoneze, projekt për shfrytëzimin e minierave shqiptare



Sektori minerar mbetet një ndër objektivat e Ministrisë së Ekonomisë, për të mundësuar një shfrytëzim sa më racional të burimeve minerale. Për këtë çështje u prezantua dje një projekt i qeverisë japoneze “Studimi i Planit Kryesor (Masterplan) për promovimin e Industrisë Minerare të Shqipërisë”. Ky përbën një grant që do të vihet në zbatim nga “JICA” (Agjencia Japoneze për Bashkëpunim Ndërkombëtar), në bashkëpunim me Grupin e Punës dhe Komitetin Drejtues të këtij projekti me përfaqësues të METE-s dhe Institucioneve të linjës. Ky masterplan, sipas ekspertëve të METE-s, do të realizohet përmes grantit të ofruar nga qeveria japoneze, duke i hapur rrugën nxitjes së investimeve serioze në këtë sektor. Si rezultat i përpjekjeve për të krijuar një treg të konkurrueshëm në fushën e industrisë minerare dhe kryesisht duke iu përgjigjur tregut botëror në rritje të prodhimit të mineraleve, vitet e fundit ka një rritje të prodhimit për mineralet kryesore. Promovimi i industrisë minerare duhet të bëhet duke u bazuar një plan afatgjatë me një strategji të qartë. Qëllimi i studimit është qartësimi i rrugëve kryesore për të realizuar zhvillimin e qëndrueshëm të industrisë minerare nën privatizimin dhe reformat ekonomike të tregut.

HEC-i mbi përroin e Shutinës, më 10 korrik zhvillohet tenderi koncesionar

Përroi i Shutinës në rrethin e Pukës do të shfrytëzohet për prodhimin e energjisë elektrike, pasi aty pritet të ndërtohet me koncesion një hidrocentral lokal. Tenderi i hapur për ndërtimin e tij me koncesion do të zhvillohet në datën 10 korrik në Ministrinë e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, që së fundi ka shpallur ftesën me procedurës konkurruese për pjesëmarrje të subjekteve private vendase dhe të huaja. Sipas burimeve zyrtare nga METE, afati i fundit për dorëzimin e ofertave është data 10 korrik, kur dhe do të hapen ofertat në mjediset e saj. METE ka përfunduar rreth 60 kontrata koncesionare për ndërtimin e 104 HEC-ve vendore në zona të ndryshme të vendit, me një total prodhimi të energjisë që llogaritet në 1000 megavat.

17 Qershor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›