Bosh: “Zgjedhjet, kusht i rëndësishëm për integrimin e vendit në BE”
Kreu i misionit të OSBE-së në Tiranë, Robert Bosh, theksoi edhe njëherë rëndësinë e mbajtjes së zgjedhjeve të lira e të ndershme në Shqipëri, si kusht parësor për integrimin e vendit në BE. Gjatë fjalës së mbajtur në ceremoninë e diplomimit të pjesëmarrësve në fazën e parë të projektit “Gratë në qeverisje”, Bosh bëri thirrje që t’u jepet fund parregullsive të konstatuara gjatë proceseve të mëparshme zgjedhore dhe se faktori politik shqiptar duhet të tregojë seriozitet në përmbushjen e standardeve në këto zgjedhje. Bosh gjithashtu bëri thirrje që shqiptarët t’i largohen votimit familjar dhe të hedhin në kutinë e votimit votën individuale. “Tani do të jemi në gjendje të vlerësojmë se sa do të jetë numri i grave që shkojnë në votime dhe deri në çfarë mase do të jenë ato në gjendje të shprehin të drejtën e tyre kushtetuese për të votuar në mënyrë individuale dhe të fshehtë dhe pa fenomenin e errët të presionit të jashtëm, i njohur si votimi familjar”, - është shprehur Bosh, ndërsa ka shtuar se “justifikimi i kësaj sjelljeje si pjesë e kulturës shqiptare nuk vlen më për vitin 2009”. Këtu, kreu i OSBE-së për Shqipërinë tha se “faktorët politikë shqiptarë duhet të tregojnë se janë seriozë në arritjen e ambicieve të tyre të integrimit, sidomos tani, si një shtet anëtar i NATO-s, e duhet të dalin me një qëndrim publik të patundur për të dënuar një sjellje të tillë ndaj grave në ditën e zgjedhjeve”. Sipas ambasadorit të OSBE-së në Shqipëri, autoritetet e administrimit të zgjedhjeve kanë një përgjegjësi të qartë për të parandaluar kryerjen e votimit familjar në ditën e zgjedhjeve. “Të presim me kënaqësi datën 28 qershor, kur të gjithë shqiptarët do të jenë në gjendje të ushtrojnë të drejtën e tyre kushtetuese për të vendosur se kush do ta udhëheqë vendin e tyre gjatë katër viteve të ardhshme. OSBE-ja pret një fushatë zgjedhore ku të gjitha partitë politike të jenë në gjendje të paraqesin programet dhe vlerat e tyre në mënyrë të hapur, të lirë dhe transparente”, - ka përfunduar Bosh.
17 Qershor 2009