E Shtunë, 31 Tetor 2026

METE gjobit kompaninë e kromit, ACR

Kontrollet e ushtruara nga ana e Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore konstatojnë se, për periudhën 2007-2008, shoqëria ACR ka investuar 3 090 000 USD nё Minierёn e Kromit Bulqizё, ndërkohë që investimet e kryera, në bazë të kontratës koncensionare që METE ka lidhur me ACR, duhet të ishin 3 400 000 USD. 

Gjithashtu, nga kontrollet e ushtruara rezulton se, për vitin 2009 nuk ka pasur asnjë investim në minierën e kromit të Bulqizës nga shoqëria koncensionare “Albanian Chrome”. Për këtë arsye, METE vendosi sot aplikimin e penalitetit prej 56 milionë lekësh për shoqërinë ACR, i cili duhet të shlyhet nga ACR brenda 20 ditësh nga marrja e njoftimit.

Vendimi i marrë sot nga ana e METE ka ardhur pas kontrolleve të vazhdueshme të kryera nga Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore, si dhe kontrolleve që janë kryer nga Grupi i Punës për vlerësimin e përgjithshëm të aktivitetit minerar të shoqërisë koncensionare ACR. Ky vendim bazohet në pikën 3.2 të Marrëveshjes së koncensionit, ku përcaktohet se: “....Mosrespektimi i punimeve sipas projektit në afatet e përcaktuara në kohe sipas nenit 3.1, në çdo fazë, e ngarkon koncesionarin që të paguaj një penalitet prej 0.05% në ditë të vlerës së investimit të parealizuar pas çdo dy muaj vonesë..”

Penaliteti i vendosur për shoqërinë “Albanian Chrome” është llogaritur për mosrealizimin të investimeve për 365 ditë vonesë (01.01.2009 deri 31.12.2009), referuar detyrimit për investime në Minierën e Kromit Bulqizë për periudhën 2007-2008. Vetëm pak ditë më parë, Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës vendosi pezullimin e pjesshëm të lejes minerare për shoqërinë koncensionare ACR Albania, pas raportit të hartuar nga Grupi i Punës së ngritur nga METE, për kontrollin e aktivitetit minerar të kësaj shoqërie koncensionare. /Start/

                                                                                             2011-07-27 16:40
   

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›