METE heq licensat, për 11 shoqëri hidrokarburesh
Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, ka hequr licensat për tregtimin me shumicë të naftës, gazit dhe nënprodukteve të saj, për 11 sh.a., për mosplotësim të kushteve ligjore të kapaciteteve depozituese-magazinuese. Në një deklaratë për shtyp, theksohet se ky vendim i marrë nga METE, vjen pas propozimit të Inspektoriatit Qendror Teknik, i cili është institucioni përgjegjës për kontrollin e tregut të hidrokarbureve.
“IQT, në bazë të kompetencave që i jep ligji, ka ushtruar kontroll në këto shoqëri dhe mbas përfundimit të kontrollit i ka propozuar Ministrit sanksionin e heqjes së licencës, në zbatim të dispozitave të ligjit nr. 8450, datë 24.02.1999 "Për Përpunimin, Transportimin dhe Tregtimin e Naftës, Gazit dhe Nënprodukteve te Tyre", të ndryshuar. Kontrolli në këto shoqëri vjen mbasi ndaj tyre më parë ishte vendosur sanksioni i pezullimit të lejeve të tregtimit për një afat 30 ditor, afat gjatë të cilit shoqëritë duhet të plotësonin mangësitë e konstatuara nga ana e institucioneve kompetente”, thuhet në këtë deklaratë.
Sipas METE-s, ky është zbatim i qëndrimit, për zbatimin e ligjit në këtë treg strategjik dhe shumë të ndjeshëm nga konsumatorët, me qëllim luftën ndaj informalitetit, garantimin e një furnizimi të sigurt të ekonomisë me produkte hidrokarbure, si dhe garantimin e cilësisë së produkteve që tregtohen, për të qenë në përputhje me standardet e kërkuara.
Po ashtu METE bën me dije se nëpërmjet këtyre masave synohet gjithashtu garantimi i një konkurrence të ndershme nga operatorët e licencuar në kushtet e një tregu të hapur, të liberalizuar dhe të dominuar nga kompani private. METE gjithashtu garanton se do të vazhdojë punën për zbatim të ligjit për tregun e hidrokarbureve, duke luftuar informalitetin dhe çdo element tjetër negativ në ketë treg, duke i shërbyer direkt konsumatorit shqiptar për të patur një treg me standarde evropiane.