E Shtunë, 31 Tetor 2026

METE padit inxhinierin Minka për mashtrim

Tiranë, 8 shkurt, NOA - Ministria e Ekonomisë,
Tregtisë dhe Energjetikës ka bërë një kallëzim penal në prokurorinë e Tiranës
ndaj inxhinier Spiro Minkës, i cili sipas saj, ka mashtruar duke sjellë pasoja
për një garë publike të dhënies me koncesion të HEC-eve në Pellgun e Llangës në
Librazhd. Sipas të dhënave të saj, fillimisht për këtë koncesion  u paraqitën tre ofertues: M&A
International sh.p.k., I&A International sh.p.k dhe ARD sh.p.k. Pas
shqyrtimi të këtyre ofertave, Komisioni i Vlerësimit të Ofertave ka shpallur
fitues të garës bashkimin e përkohshëm të shoqërive Albstar sh.p.k., 4A
A1 sh.p.k. dhe MAB Ndërtim sh.p.k.

Mirëpo, fill pas këtij vendimi, një nga
kompanitë pjesëmarrëse është ankuar për parregullsi në Agjencinë e Prokurimit
Publik. Menjëherë kjo agjenci ka pezulluar procedurën e dhënies me koncesion
dhe ka hapur një hetim administrativ, thuhet në njoftimin e METE-s.

Duke shtuar se gjatë mbledhjes së
informacioneve, APP-ja ka marrë edhe një deklaratë noteriale të ing. Spiro
Minkës, ku ai deklaron se nuk ka marrë pjesë në projektimin apo oponencën
teknike të hidrocentrale mbi përroin Zalli i Llangës në Librazhd për llogari të
shoqërisë MAB Ndërtim sh.p.k., por ka marrë pjesë në projektimin e këtyre
hidrocentraleve vetëm për llogari të shoqërisë Eurocostruzioni s.p.a.

Gjatë evidentimit të dokumentacioneve,
bashkimi i përkohshëm i shoqërive që fitoi tenderin është shprehur se është e
vërtet që oponenca teknike e projektit të saj është përgatitur nga Studio Alba
Projekt 04 Sh.p.k. me përfaqësues ligjor zotin Spiro Minka, i cili e ka
vulosur dhe nënshkruar këtë oponencë në çdo faqe, duke i bashkangjitur kopje të
noterizuar të licencës (Spiro Minka) dhe ekstrakt të regjistrit tregtar të
kësaj studioje projektimi, sqarohet më tej.

Duke shtuar se për të sqaruar këtë çështje,
komisioni kërkoi ballafaqimin me inxhinier Spiro Minkën, i cili nuk është
paraqitur për të dhënë sqarime.

Prandaj, ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe
Energjetikës ka kërkuar nisjen e procedimit penal për Minkën mbi veprën penale
të mashtrimit me pasoja për një garë publike të dhënies me koncesion.

Ndërsa procedura e dhënies me koncesion nga
ana e ministrisë të HEC-eve në Pellgun e Llangës në Librazhd është pezulluar
për momentin, deri në zgjidhjen e plotë të kësaj çështje.

n.e/NOA     

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›