Dhoma e Tregtisë, bursa dhe punësim për studentët që mësojnë
Tiranë, 9 Shkurt NOA - Dhoma e Tregtisë dhe
Industrisë Tiranë dhe Universiteti i Tiranës nënshkruan një memorandum
bashkëpunimi duke përcaktuar për herë të parë qartë se në çfarë do të
konsistojë ky memorandum.
Rektori i Universitetit të Tiranës, Dhori Kule
u shpreh pas nënshkrimit të këtij memorandumi se ky bashkëpunim vjen në kuadër
të misionit që ka shkolla e lartë. Universiteti i Tiranës me kapacitetet
akademike që ka është në gjendje të afrojë gjithë mundësitë e duhura. Janë 35
mijë studentë që diplomohen këtë vit dhe është në të mirën e të gjithëve
vendosja e pikave të kontaktit me sipërmarrësit, u shpreh Kule duke shtuar se
kjo parashikon me shumë se realizim praktikash.
Kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë
Tiranë, Nikolin Jaka tha se ky memorandum vjen si një nga iniciativat e Dhomës
që lidhen me reformimin, ristrukturimin si dhe përcaktimin e një vizioni të ri
bashkëkohor, i cili do ti përgjigjet më së miri ritmit të transformimeve dhe
krijimit të një klime ekonomikë të re në tërësi në vendin tonë. Nënshkrimi i
marrëveshjeve të bashkëpunimit më aktorët publikë dhe civil është një nga
prioritetet tona, u shpreh Jaka.
Duke qëndruar në nënshkrimin e sotëm Jaka vlerësoi
se trupa akademike e Universitetit të Tiranës e cila në një masë të
konsiderueshme ka kontributin e vet në formimin profesional të shumë
biznesmenëve tanë, nga ana e Dhomës së Tregtisë shihet si një partner i
fuqishëm dhe i pazëvendësueshëm.
Në këtë pikë Jaka ishte konkret duke cilësuar
se kombinimi dhe rakordimi midis dy institucioneve për të identifikuar
studentët më të mirë si kandidatë të mundshëm për tu punësuar në bizneset e
Tiranës.
Ky program do të realizohet duke garantuar
edhe një lloj bashkëpunimi dhe sporti ekonomik nga ana e bizneseve për
studentët kandidatë gjatë periudhës së studimeve të tyre, duke u orientuar edhe
profilizimin e studentëve.
Në këtë formë Dhoma nuk do të jetë një
ndërmjetës për studentët që thjesht të kryejnë një praktikë, por do të
ndërmjetësojë për të evidentuar dhe dhënë rrugën e duhur në profilizimin që
kërkohet.
Gjithashtu qëllimi i memorandumit ka të bëjë
me rritjen e interesit të grupeve të biznesit për burime njerëzore të mirë
kualifikuara, të afta që në stadin aktual të zhvillimit ti përgjigjen niveleve
të larta të teknologjisë dhe menaxhimit, me synimin që bashkërisht të
përballohen sfidat e postkrizës botërore e në vazhdim, si dhe për të vendosur
ura bashkëpunimi të përhershme në marrëdhëniet universitet biznes.
e.r/NOA