METE padit inxhinierin Spiro Minka, mashtroi në garën koncesionare të HEC-eve
Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës ka bërë kallëzim penal në prokurorinë e Tiranës ndaj ing. Spiro Minka, i cili ka mashtruar, duke sjellë pasoja për një garë publike të dhënies me koncesion të HEC-eve në Pellgun e Llangës, Librazhd. Pas hapjes së procedurave për dhënien me koncesion u paraqitën tre ofertues. E para ishte bashkimi i përkohshëm i shoqërive “M&A International” sh.p.k., “I&A International” sh.p.k dhe “ARD” sh.p.k. E dyta, bashkimi i përkohshëm i shoqërive “Albstar” sh.p.k., “4A – A1” sh.p.k. dhe “MAB Ndërtim” sh.p.k. E treta, bashkimi i përkohshëm i shoqërive “Eurocostruzioni” S.p.a., “Elettroindustriale” s.r.l., “G.S.S.” sh.p.k. dhe “SIL.CO” sh.p.k. Pas shqyrtimit të ofertave, Komisioni i Vlerësimit të Ofertave me anë të një vendimi të datës 31.8.2009 ka shpallur fitues të garës bashkimin e përkohshëm të shoqërive “Albstar” sh.p.k., “4A – A1” sh.p.k. dhe “MAB Ndërtim” sh.p.k. Mirëpo, fill pas këtij vendimi, një nga kompanitë pjesëmarrëse është ankuar për parregullsi në Agjencinë e Prokurimit Publik. Menjëherë kjo agjenci ka pezulluar procedurën e dhënies me koncesion dhe ka hapur një hetim administrativ. Gjatë mbledhjes së informacioneve, APP-ja ka marrë edhe një deklaratë noteriale të ing. Spiro Minkës, ku ai deklaron se nuk ka marrë pjesë në projektimin apo oponencën teknike të hidrocentrale mbi përroin Zalli i Llangës në Librazhd për llogari të shoqërisë ‘MAB Ndërtim” sh.p.k., por ka marrë pjesë në projektimin e këtyre hidrocentraleve vetëm për llogari të shoqërisë “Eurocostruzioni” S.p.a. Gjatë evidentimit të dokumentacioneve, bashkimi i përkohshëm i shoqërive që fitoi tenderin, është shprehur se është e vërtetë që oponenca teknike e projektit të saj është përgatitur nga studio “Alba Projekt 04” sh.p.k. me përfaqësues ligjor zotin Spiro Minka, i cili e ka vulosur dhe nënshkruar këtë oponencë në çdo faqe, duke i bashkangjitur kopje të noterizuar të licencës (Spiro Minka) dhe ekstrakt të regjistrit tregtar të kësaj studioje projektimi. Përfaqësuesit e këtyre kompanive, gjithashtu shprehen se zoti Spiro Minka nuk i ka vënë në dijeni për ndonjë angazhim në përgatitjen e projektit të fizibilitetit të ndonjë shoqërie tjetër në lidhje me shfrytëzimin e Zallit të Llangës, qoftë kjo shoqëria ankimuese “Eurocostruzioni”. Për të sqaruar këtë çështje, Komisioni kërkoi ballafaqimin me inxhinier Spiro Minkën, i cili nuk është paraqitur për të dhënë sqarime. Duke pasur tri fakte kontradiktore: oponencën teknike të projektit të shoqërisë “MAB Ndërtim” sh.p.k. të nënshkruar dhe vulosur nga studioja e zotit Spiro Minka; deklaratën noteriale të këtij të fundit, ku thotë se nuk ka bërë projekt apo oponencë teknike; si edhe deklaratën e bashkimit të shoqërive që kanë fituar tenderin, ku vërtetohet se inxhinieri Minka ka përgatitur oponencën teknike dhe se nuk i ka vënë në dijeni për shërbime të kryera ndaj ndonjë shoqërie tjetër konkurrente, Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës ka kërkuar nisjen e procedimit penal për zotin Spiro Minka për veprën penale të “mashtrimit me pasoja për një garë publike të dhënies me koncesion”. Procedura e dhënies me koncesion nga ana e ministrisë të HEC-eve në Pellgun e Llangës në Librazhd është pezulluar për momentin, deri në zgjidhjen e plotë të kësaj çështjeje.