E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mallrat e konsumit, janari rrit çmimet me 3%

Qytetarëve shqiptarë u është dashur të shpenzojnë më shumë në buxhetin e tyre familjar për muajin janar për të blerë po të njëjtat produkte që kanë blerë në të njëjtin muaj vitin e kaluar. Ngarkesa financiare është rritur për çdo familje, pasi çmimet në janar 2010 janë rritur me afro 3 për qind. Kryesisht, rritja e çmimeve është pasqyruar në produktet e shportës, mallra të konsumit të përditshëm. INSTAT raporton një rritje për muajin janar në çmimet e mallrave të konsumit. Rritja e konsiderueshme është konstatuar për këtë muaj, në një kohë që në të nuk është llogaritur rritja e çmimit të energjisë elektrike, që ka hyrë në fuqi në datën 1 janar të këtij viti. Po kështu, në këtë rritje nuk është llogaritur edhe aplikimi i faturave të reja për shërbimet shëndetësore. Sipas raportit të INSTAT-it, rritje prej afro 10-35 për qind kanë pësuar çmimet e perimeve, që janë produkte konsumi në çdo familje shqiptare, por edhe ato të frutave. INSTAT raportoi dje se Indeksi i Çmimeve të Konsumit në muajin janar 2010 arriti 106.3 për qind kundrejt muajit dhjetor 2007 (dhjetor 07=100), duke shënuar një rritje prej 0.5 për qind krahasuar me muajin e mëparshëm. Ndryshimi vjetor në muajin janar është 3.6 për qind. Një vit më parë ky ndryshim ishte 2.1 për qind. Indeksi i grupit “Ushqime dhe pije joalkoolike” shënoi një rritje prej 1.3 për qind, me një ndikim prej 0.5 për qind në totalin e ndryshimit mujor. Brenda këtij grupi rritja më e madhe prej 8.2 për qind vërehet në nëngrupin “Zarzavate përfshirë patatet”. Këtu mund të përmendim rritjen e çmimit të qepëve të thata me 35.7 për qind, domateve me 27.3 për qind, preshit me 14.2 për qind, kastravecëve me 5.4 për qind, lakrës me 2.9 për qind etj. Çmimet e nëngrupit “Fruta” shënuan një rritje prej 0.3 për qind, ku mund të përmendim rritjen e çmimit të mandarinave me 8.4 për qind, mollëve me 7.1 për qind, dardhave me 2.7 për qind etj., ndërsa çmimet e kivit shënuan një ulje prej 4.5 për qind, portokajve 4.1 për qind, limonëve 1.7 për qind etj. Gjatë muajit dhjetor, çmimet janë rritur edhe në disa nga nëngrupet e tjera të grupit të ushqimeve, ku mund të veçojmë rritjet në nëngrupet, “Pije joalkoolike” me 0.4 për qind, “Sheqer, reçelra, mjaltë etj.” 0.2 për qind, “Peshk” 0.2 për qind, “Mish” 0.2 për qind etj. Indeksi i grupit “Veshje dhe këpucë” shënoi një ulje prej 0.8 për qind, brenda të cilit çmimet e këpucëve shënuan një ulje prej 1.3 për qind dhe çmimet e veshjeve 0.7 për qind. Indeksi i grupit “Pije alkoolike dhe duhan” shënoi një rritje prej 0.5 për qind, ku mund të veçojmë rritjen e çmimit të duhanit me 1.2 për qind.
Indeksi i grupit “Transport” nuk ka ndryshuar krahasuar me muajin e mëparshëm, por brenda tij çmimet e karburanteve shënuan një rritje dhe konkretisht çmimi i naftës shënoi një rritje prej 0.1 për qind dhe çmimi i benzinës 0.6 për qind. Në grupet e tjera, ndryshimet mujore variojnë nga -0.3 për qind ne + 0.1 për qind.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›