E Shtunë, 31 Tetor 2026

Debat në Kuvend për tatimin e gjuetarit

Ligji i ri

Ligji i ri “Për gjuetinë” ka sjellë debate të forta në Komisionin Parlamentar të Veprimtarive Prodhuese. Përfaqësuesit e shoqatave të gjuetarëve kërkuan mbrojtje me ligj nga shteti ndaj faunës së egër, duke propozuar vendosjen e tatimit. Debati kishte të bënte me konceptet e gjuetisë, nëse është aktivitet sportiv apo fitimprururës. Federata Shqiptare e Gjuetarëve e ka kundërshtuar ligjin e ri të qeverisë, pasi nuk mbron interesat e pronës publike dhe nuk ndan qartë kompetencat. “Ne kërkojmë rregull në këtë aktivitet. Aktualisht kemi 17 mijë anëtarë të regjistruar që paguajnë kuota, por në rang vendi numërohen me dhjetëra mijëra, të cilët gjuajnë pa kriter. Ne kërkojmë rritjen e tarifave, tatim për fitimin e siguruar nga gjahu, bllokimin e armës në kohën kur nuk lejohet gjuetia etj.”, tha Kujtim Hazbiu, sekretar i zyrës juridike në federatë. Tjetër debat lidhej me distancën e gjuajtjes nga zonat e ndaluara bregdetare, pasi gjuetarët e konsiderojnë kufirin 2 km shumë të madhe. Sipas ligjit të ri, çdo gjuetar do të ketë zonën e tij të aktivitetit, duke marrë miratimin në Ministrinë e Mjedisit, falë kritereve dhe garës së konkurrimit. Debat pati edhe për organizatat e huaja që sjellin gjuetarë në vendin tonë, mesatarisht çdo vit nga 700 veta. Kryetari i komisionit, Jemin Gjana, kërkoi shtyrje të diskutimeve, për ta lënë miratimin nen për nen në mbledhjen e radhës, pasi palët të jenë konsultuar me njëra-tjetrën. Federata e Gjuetarëve të Shqipërisë me traditë dhe përvojë 60-vjeçare, anëtare e Bashkimit Ndërkombëtar të Federatave të Gjuetisë (CIC), anëtare e Federatës Europiane të Gjuetisë e Konservimit të Faunës së Egër është organizatë jofitimprurëse që bashkon të gjitha shoqatat rajonale të gjuetarëve të organizuara në bazë të ndarjes administrative të Republikës së Shqipërisë.

#

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›