Kredi 2.6 milionë euro për biznesin
Gjermanët
U miratua dje nga Komisioni i Ekonomisë marrëveshja e huas dhe e financimit ndërmjet Republikës së Shqipërisë, bankës gjermane KfW dhe fondacionit FEFAD, për projektin “Promovimi i SME-ve”. Marrëveshja 2.6 milionë euro synon të mundësojë e të lehtësojë dhënien e huave për ndërmarrjet private, të mesme dhe të vogla, në zonat rurale e urbane, çka do të kontribuojë në krijimin e të ardhurave për grupe të caktuara shoqërore, si edhe thellimit e zgjerimin në sektorin e financimeve vendore. “Grupet e caktuara janë private, mikrondërmarrje të vogla dhe të mesme, në të gjithë sektorët rajonalë, urbanë dhe ruralë, përfshi këtu edhe shoqëritë bujqësore”, sqaron Ministria e Financave. KfW-ja do t’i japë Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë të përfaqësuar nga Ministria e Financave një hua prej 2.6 milionë eurosh dhe një kontribut financiar prej 210000 eurosh. Huaja do të përdoret për të realizuar qëllimin e projektit, ndërsa kontributi financiar për këshillimin e institucioneve sapo të arrihen kushtet për disbursim. Afati i shlyerjes së kredisë është 40 vjet, me interes 0.75 për qind në vit.
#