Berisha: 2010-n e kemi nisur mbarë
Kryeministri uron për rritje 9% dhe paraqet shifra optimiste
Kryeministri paraqiti dje me tone optimiste ecurinë ekonomike të fillimvitit 2010, duke uruar për një rritje të qëndrueshme. Para deputetëve të PD-së, Sali Berisha përmendi të dhënat e fundit të tregtisë me jashtë, të cilat janë dyfishuar në avantazhin e biznesit shqiptar. Duke marrë për bazë studimin e një banke italiane që nuk operon në vendin tonë, Kryeministri tha se parashikimet e rritjes ekonomike për 2009-n me 7 për qind janë plotësisht të qëndrueshme dhe shtoi se 9 për qind këtë vit do të jetë i realizueshëm.
Kryeministri vuri në dukje se statistikat faktojnë që në janarin e vitit 2009, Shqipëria eksportoi 56.7 mijë ton mallra me një vlerë prej 1 miliard e 413 milionë lekë, kurse në janarin e vitit 2010, eksportet shqiptare u rritën në rreth 103 mijë ton. Kjo rritje në tonazh, theksoi Kryeministri, në mënyrë të përpiktë dhe akoma më të thellë ndjek rritjen në vlerë nga 1 miliard e 400 milionë të janarit të vitit 2009, në 3 miliardë e 455 milionë lekë të këtij viti, pra mbi 100 për qind. “Për hir të së vërtetës, edhe në sektorin e rieksportit, ku janë mbi 100 mijë shqiptarë të punësuar, pritet një vit i bardhë, i bardhë si dëbora e Dajtit, të cilën pata kënaqësinë e madhe ta shijoj. Duhet ta dini se nga të gjitha bulevardet e natyrës, për mua dëbora është bulevardi i të gjitha bulevardeve”, veçoi Kryeministri. Rieksportet në vitin 2009 kanë qenë 6.2 mijë ton me një vlerë prej 5.2 miliardë, kurse në vitin 2010 vlera e tyre është rritur në 6 miliardë. Pra ka një rritje në muaj prej 800 milionësh dhe një rritje prej rreth 17 apo 18 për qind krahasuar me janarin e vitit të kaluar, çka do të thotë se ka një shtim të sigurt të vendeve të punës. “Të nderuar deputetë, ky është një fillim shumë i mbarë. Ekonomia shqiptare është entuziaste, ndoshta nuk kam statistika të tjera, por jam i sigurt se nuk ka vend tjetër që shënon dyfishimin e eksporteve në janarin e 2010-s. Pra nis një vit shumë i mbarë”, përfundoi kreu i qeverisë.
#