MINSK – Muraveiko: Bjellorusia shkatërroi dronët që kishin dalë nga kursi dhe ndihmoi Poloninë

MINSK, 10 shtator /ATSH-DPA/- Aleati i Moskës, Bjellorusia, tha sot se kishte informuar Poloninë dhe Lituaninë gjatë natës për dronët që fluturuan drejt territoreve të tyre.
“Gjatë shkëmbimit të sulmeve natën nga dronët UAV midis Federatës Ruse dhe Ukrainës, Bjellorusia gjurmoi dhe shkatërroi pjesërisht mjete që kishin dalë nga kursi”, tha shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Bjellorusisë, Pavel Muraveiko, në një deklaratë të postuar sot në Telegram.
“Kjo e ndihmoi Poloninë të mbrohej”, tha ai.
Deklarata i referohet “dronëve të humbur”, pa specifikuar origjinën e tyre.
Polonia, një shtet anëtar i BE-së dhe NATO-s, tha se kishte rrëzuar dronët rusë – për herë të parë -gjatë natës – në përgjigje të një shkeljeje të rëndë të hapësirës ajrore të NATO-s.
BE-ja tha se Moska mund të ketë vepruar me qëllim.
Situata në rajon është gjithashtu e tensionuar në kuadër të manovrave ushtarake të ardhshme.
Në fund të javës, Rusia dhe Bjellorusia planifikojnë të zhvillojnë së bashku manovrat “Sapad-2025” (Perëndimi-2025).
Inspektori i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura Gjermane, Carsten Breuer, vlerëson se rreth 13 000 ushtarë do të marrin pjesë në manovrën në shkallë të gjerë, ruso-bjelloruse në Bjellorusi dhe 30 000 të tjerë në territorin rus.
Vetë Minsku njoftoi së fundmi se do të reduktonte fushëveprimin e manovrës.
Megjithatë, Polonia synon të mbyllë kufirin e saj me Bjellorusinë nga e enjtja e tutje. //a.i/