E Shtunë, 31 Tetor 2026

MIRATIMIN E KRITEREVE E PËRFAQËSIMIT, TË PËRZGJEDHJES, EMËRIMIT E SHKARKIMIT TË ANËTARËVE DHE RREGULLAT E FUNKSIONIMIT TË KËSHILLIT TË STATISTIKAVE

VENDIM PËR MIRATIMIN E KRITEREVE E PËRFAQËSIMIT, TË PËRZGJEDHJES, EMËRIMIT E SHKARKIMIT TË ANËTARËVE DHE RREGULLAT E FUNKSIONIMIT TË KËSHILLIT TË STATISTIKAVE Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 10, të ligjit nr.9180, datë 5.2.2004, “Për statistikat zyrtare”, me propozimin e zëvendëskryeministrit, Këshilli i Ministrave VENDOSI: Kriteret e përfaqësimit, të përzgjedhjes, emërimit e shkarkimit dhe rregullat e funksionimit të Këshillit të Statistikave, i cili përbëhet nga 11 anëtarë, janë: Përbërja e Këshillit të Statistikave: Këshilli i Statistikave përbëhet nga 11 anëtarë, me përfaqësim si vijon: - Bota akademike 3 anëtarë; - Shoqëria civile 3 anëtarë; - Agjencitë statistikore 5 anëtarë. 2. Bota akademike a) Bota akademike përfaqësohet me 3 anëtarë, të cilët përzgjidhen në mënyrë të drejtpërdrejtë nga rradhët e personelit të brendshëm, të trupit akademik të Universitetit të Tiranës. Kandidaturat nga bota akademike, duhet të plotësojnë këto kritere për t’u përzgjedhur si anëtarë: - të gëzojë reputacion të lartë profesional; - të japin kontribut të drejtpërdrejtë në mësimdhënien e statistikës ose të kryejnë apo zbatojnë studime me të dhënat e ofruara nga kjo shkencë; - të zotërojnë tituj shkencorë. b) Rektori i Universitetit i paraqet Kryeministrit, sipas kërkesës së tij, listën e kandidaturave, të cilët plotësojnë kriteret për t’u përzgjedhur në këtë funksion. Kandidaturat përzgjidhen nga Kryeministri, kryesisht nga radhët e përfaqësuesve të botës akademike të Fakultetit të Ekonomisë, e të Fakultetit të Shkencave të Natyrës, Universiteti i Tiranës. Këshilli i Ministrave me propozim të Kryeministrit emëron ose e liron nga funksioni anëtarin, për shkak të përfundimit të detyrës së tij në institucion. Në çdo rast, anëtari i përzgjedhur nga bota akademike nuk mund të qendrojë në këtë funksion për një mandat më të gjatë se 7 vjet, me të drejtë riemërimi vetëm 1 herë. 3. Shoqëria civile a) Shoqëria civile përfaqësohet me 3 anëtarë, të zgjedhur nga radhët e organizatave jofitimprurëse me reputacion, përvojë profesionale dhe njerëzore, të cilët gjatë misionit të organizatës përdorin ose kryejnë studime në shkencën e statistikës, si dhe kanë njohje të mira për gjendjen shoqërore e demografike të vendit. Njëri nga 3 anëtarët e përzgjedhur nga radhët e shoqërisë civile duhet të përfaqësojë një bashkim gazetarësh profesionistë. Çdo agjenci statistikore depoziton pranë Kryeministrit, me kërkesë të vet, brenda 10 ditësh listën e organizatave jofitimprurëse vendase, të cilat bashkëveprojnë me agjencinë ose përdorin statistika zyrtare të ofruara prej saj. b)Kryeministri përzgjedh nga listat e paraqitura 3 anëtarë të shoqërisë civile dhe ja propozon Këshillit të Ministrave për miratim, në mbledhjen e radhës. c)Përfaqësuesi i organizatës qendron në funksion për një mandat 3-vjeçar, pa të drejtë ricaktimi. Kur përfaqësuesi i organizatës humbet të drejtën për të përfaqësuar organizatën e tij, Kryeministri, kryesisht ose me kërkesë të vetë organizatës, mund t’i paraqes Këshillit të Ministrave propozimin për lirim nga funksioni të anëtarit përfaqësues të përzgjedhur. ç) Përfaqësuesi i shoqërisë civile, gjatë pjesëmarrjes në këshill, ka për detyrë të ruajë konfidencialitetin e të dhënave dhe informaionin që siguron, si dhe të mos i përdorë ato në organizatën që përfaqëson, përveç rastit kur të dhënat mund të sigurohen, njëkohësisht, edhe nga burime të tjera publike. Ky detyrim angazhon përfaqësuesin e shoqërisë civile në këshill me përgjegjësinë për të mos kryer konkurencë të pandershme në dëm të organizatave të tjera jofitimprurëse ose për të përfituar pa të drejtë për shkak të pjesëmarrjes në Këshillin e Statistikave. d) Çdo organizatë jofitimprurëse, që vëren se përfaqësuesi i shoqërisë civile, i përzgjehdur si anëtar në këtë këshill, shkel këtë parim dhe kryen veprimtari në kundërshtim me shkronjën “ç”, të pikës 3, të këtij vendimi, ka të drejtë t’i drejtohet Këshillit të Statistikave, me kërkesë për shkarkimin nga mandati. Këshilli i Statistikave shqyrton çështjen dhe në bazë të fakteve dhe rrethanave të paraqitura shprehet me vendim. e) Një kopje e qendrimit të Këshillit të Statistikave, e shoqëruar me qendrimin me shkrim të anëtarit të proceduar për këtë çështje, i njoftohet Kryeministrit si dhe i dërgohet, brenda 5 ditësh, organizatës që kërkoi fillimin e këtij procedimi. 4. Agjencitë statistikore: a) Përfaqësohen nga 5 anëtarë, përfaqësues të institucioneve qendrore si më poshtë vijon: - Banka e Shqipërisë, 1 anëtar; - Ministria e Arsimit dhe Shkencës, 1 anëtar; - Ministria e Brendshme, 1 anëtar; - Ministria e Financave, 1 anëtar; - Ministria e Integrimit Europian 1 anëtar. b) Titullari i institucionit, i paraqet Këshillit të Ministrave propozimin, për përfaqësimin e tij të përhershëm në Këshillin e Statistikave. c) Këshilli i Ministrave miraton emërimin, lirimin ose shkarkimin nga ky funksion të përfaqësuesit, sipas kërkesës së titullarit të çdo institucioni. ç) Kriteret e përzgjedhjes për përfaqësuesit e agjencive statistikore: Titullari i institucionit propozon përfaqësuesin për anëtar në këshill, nga rrethi i personave të institucionit, që kanë kualifikime në fushën ekonomike ose atë humane, janë personalitete të spikatura në rrethin e tyre profesional, si dhe kanë përvoja të mëparshme në fushën e statistikës, në atë ekonomike, shoqërore ose mjedisore. 5. Kohëzgjatja e mandatit të përfaqësuesit nga rrethi i Agjencive Statistikore: a)Anëtari i Këshillit të Statistikave kryen këtë funksion deri në ditën e lirimit ose të shkarkimit të tij. Lirimi ose shkarkimi nga funksioni kryhet kur mbaron ose përfundon marrëdhënia me institucionin ose kur titullari i institucionit propozues i kërkon Këshillit të Ministrave zëvendësimin e tij, pavarësisht nga motivi. b)Kur zhvillohen mbledhje nga Këshilli i Statistikave, gjatë periudhës që agjencia statistikore kërkon lirimin ose shkarkimin nga funksioni të përfaqësuesit të tij, përfaqësuesi i propozuar për t’u liruar ose shkarkuar, humbet të drejtën për të votuar për çështjet në shqyrtim. Ai mund të votojë dhe të fitojë të drejtën për të votuar, vetëm nëse agjencia që ai përfaqëson, njofton me shkrim këshillin dhe pajis përfaqësuesin me autorizim për të votuar për çështjet objekt shqyrtimi në mbledhje. 6. Dokumentacioni dhe përgjegjësia për zgjedhje e anëtarit përfaqësues të agjencisë statistikore. a)Titullari i institucionit shoqëron propozimin për anëtar me relacionin shpjegues, si dhe me dikumente shoqëruese për plotësimin e kritereve të përcaktuara për kandidatët; b)Këshilli i Ministrave miraton kandidatin e propozuar për anëtar, i cili përmbush kriteret për t’u zgjedhur. 7. Mënyra dhe afati i plotësimit të vendit bosh të anëtarit përfaqësues të Agjencisë Statistikore: a)Titullari i institucionit shtetëror i paraqet Këshillit të Ministrave propozimin për kandidatin e ri, brenda periudhës 10 ditore nga marrja dijeni ose konstatimi i faktit, për mbetjen e vendit bosh në këshill. b)Këshilli i Ministrave shqyrton propozimin e paraqitur dhe merr vendimin në mbledhjen më të parë të radhës. 8. Këshilli i Statistikave, gjatë ushtrimit të funksionit të vet udhëhiqet nga qëllimi i rritjes së cilësisë së statistikave zyrtare dhe të ruajtjes së besimit të publikut në punën e Institutit të Statistikave. 9. Organet drejtuese të Këshillit të Statistikave janë: i)kryetari; ii)zëvendëskryetari. Kryetari dhe zëvendëskryetari zgjidhen nga anëtarët e Këshillit të Statistikave. Kryetari përfaqëson Këshillin e Statistikave në marrëdhëniet me të tretët për vendimet që merr këshilli. 10. Mbledhja e Këshillit të Statistikave a) Këshilli i Statistikave mblidhet në seancë të zakonshme të paktën 4 herë në vit. Ai thirret nga kryetari dhe mbledhjet janë të vlefshme kur paraqiten të paktën 6 anëtarë të këshillit. Këshilli mblidhet në seanca të jashtëzakonshme kur kjo kërkohet të paktën nga 1/3 e anëtarëve. b)Anëtarët njoftohen me shkrim për datën, orën dhe vendin ku do të zhvillohet mbledhja, si dhe për rendin e ditës, që do të shqyrtohet në mbledhje. Si rregull, njoftimi bëhet të paktën 10 ditë përpara datës së mbledhjes. Për çështje urgjente kryetari i këshillit mund të thërrasë mbledhjen, duke mosrespektuar afatet e mësipërme, por, detyrimisht, me një njoftim me shkrim. c)Drejtori i Përgjithshëm i INSTAT-it merr pjesë në mbledhje, pa të drejtë vote. 11. Vendimet e Këshillit të Statistikave merren me shumicë të thjeshtë, të anëtarëve të pranishëm. Në rast barazimi të votave, pro dhe kundër, projektvendimi vlerësohet i rrëzuar. 12. Detyrat dhe përgjegjësitë e anëtarëve përfaqësues të agjencive statistikore: a)Anëtarët, përfaqësues i agjencisë statistikore, në ushtrim të përgjegjësive konkrete, njoftojnë institucionet e tyre brenda afatit 10 ditor nga miratimi i programit vjetor ose planveprimit të INSTAT-it për detyra, përgjegjësi ose angazhime që Institucionit do t’i lindin për përgatitjen e dokumentacionit të nevojshëm, për qëllim të veprimtarisë së INSTAT-it. b)Anëtari, përfaqësues i agjencisë statistikore, në këshill bashkërendon veprimet që institucioni i përfaqësuar prej tij të përgatisë planveprimin e brendshëm për këto çështje brenda 10 ditësh. 13. Sekretariati: a)Shërbimi i sekretariatit sigurohet nga INSTAT-i, nën mbikëqyrjen e një anëtari të Këshillit të Statistikave. Detyrat e sekretariatit caktohen me vendim të veçantë të këshillit. b) Këshilli i Statistikave cakton një anëtar me detyrën për mbikqyrjen e punës së Sekretariatit. Detyra konkrete si dhe rregullime të tjera, të nevojshme për ushtrimin e përgjegjësive konkrete, vendosen nga Këshilli i Statistikave, me vendim të veçantë. 14. Vendimin nr.501, datë 30.6.2005, i Këshillit të Ministrave, “Për kriteret e përfaqësimit, të përzgjedhjes, emërimit, shkarkimit dhe funksionimit të Këshillit të Statistikave”, si dhe çdo akt tjetër nënligjor; dalë në mbështetje të tij, shfuqizohet dhe vendimi nr.551, datë 3.8.2005, i Këshillit të Ministrave shfuqizohet. 15. Këshilli i Statistikave mblidhet brenda 1 muaji nga konstituimi i mandateve të anëtarëve të tij. Mbledhja thirret sipas kërkesës së çdo institucioni anëtar. 16. Ngarkohen institucionet përgjegjëse, që, brenda 5 ditësh nga hyrja në fuqi e vendimit, të paraqesin pranë Këshillit të Ministrave propozimet përkatëse për anëtarë të Këshillit të Statistikave. Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”. KRYEMINISTRI SALI BERISHA

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›