Kryeministri Berisha takohet me kryeministrin e Bullgarisë, Stanishev
Kryeministri shqiptar, z. Sali Berisha, ka zhvilluar te premten, një takim me Kryeministrin e Bullgarisë, Sergei Stanishev, gjatë punimeve të Samitit të Kryetarëve të Qeverive të Nismës së Europës Qendrore, në Sllovaki. Z. Berisha ka falënderuar kryeministrin bullgar për gadishmërinë e Bullgarisë për të ndihmuar Shqipërinë gjatë situatës së rëndë energjitike. Të dy palët kanë ndarë mendimin se duhet të rritet dhe të thellohet bashkëpunimi në të gjitha fushat, veçanërisht në fushën e shkëmbimeve tregtare, turizmit, infrastruturës etj.
Kryeministri bullgar ka theksuar se "ju do të gjeni tek Bullgaria një mbështetës të fortë për përpjekjet tuaja integruese në Bashkimin Europian dhe në NATO, duke shkëmbyer përvojën tonë pozitive në këtë drejtim". Gjithashtu, të dy autoritetet kanë folur edhe për çështjen e Kosovës, ku z. Berisha ka ritheksuar se zgjidhja e statusit final të Kosovës do të jetë një kontribut shumë pozitiv për paqen dhe stabilitetin e rajonit.
Z.Berisha i ka shprehur kryeministri bullgar domosdoshmërinë e riaktivizimit të përpjekjeve serioze për ndërtimin e Korridorit 8. Edhe kryeministri bullgar ka pohuar të njëjtin interesim, duke shtuar se ky është një projekt me rëndësi vitale për Bullgarinë, Shqipërinë, Maqedoninë dhe madje dhe për Italinë.