MISTERI LETRAR I PASQYRAVE
Rreth 51 km në juglindje të Parisit gjendet Milly-la-Foret, ku në adresën ‘15 rue du Lau’ ndodhet shtëpia e Jean Cocteau-së (1889-1963) poet, dramaturg, kineast, grafist e dizenjator i shquar francez, i dashuri legjendar i aktorit të famshëm Zhan Mare (Jean Marais). Shtëpia, që është kthyer në një vend përkujtimor për artin e Cocteau-së, i hapi portat për vizitorët në qershor të këtij viti; Cocteau-ja ka shkruar për të: “... Ajo më jep shembullin e këmbënguljes së mrekullueshme dhe absurde të bimësisë. Uji i rezervuarëve dhe dielli pikturojnë përmbi muret e dhomës sime mermerin e tyre të rremë lëvizës”.
Me të kaluar portën ngjyrë blu, në këmbë të dy kullëzave që e zbukurojnë ngrehinën, të del përpara një oaz paqeje i jashtëzakonshëm, ku kopshtet e mrekullueshme, me kokat e gurta të dy sfinksave dhe shtatoren e Turkut, të kujtojnë peizazhet e filmit “Bukuroshja dhe Bisha”, të realizuar nga Cocteau-ja. Brendësia e shtëpisë rrëfen për një lidhje të ngushtë midis jetës dhe artit të Cocteau-së. Ajo që më bëri më shumë përshtypje qenë pasqyrat e saj të shumta, çka më solli ndërmend idengulitjen e artistit për imazhin e vet, idengulitjen e atij që futi surrealizmin në kinemanë franceze, duke ndikuar në gjininë franceze të “Nouvelle Vague”. Në të vërtetë, pasqyrat janë një element thelbësor i krijimtarisë së Cocteau-së: te “Bukuroshja dhe Bisha”, Bukuroshja sheh Bishën që po vdes (pika më e thelbët e filmit) me anë të një pasqyre që i sjellin të motrat, ndërsa te vepra tjetër e tij “Testamenti i Orfeut”, pasqyrat janë portat e Ferrit, sipas thënies “Pasqyrat janë portat nga ku vdekja shkon dhe vjen”; Euridici dhe trupi i padukshëm i Orfeut mbyllen në një pasqyrë. Një nga filmat e rëndësishëm të Cocteau-së është “Gjaku i poetit”, i përbërë nga katër pjesë, ku në pjesën e tij të parë rrëfehet se, ndërsa oxhaku i një uzine është gati duke u rrëzuar, statuja pa krahë në dhomën e një poeti, befas ngjallet: ajo e fton poetin të kridhet në një pasqyrë për të zbuluar një tjetër botë. “Pasqyrat e Cocteau-së” më bënë të përsiatesha gjatë mbi pasqyrat e botës, pasqyrat e mistikës, shkencave të fshehta dhe, mbi të gjitha, pasqyrat e letrave, ato që kanë nxitur frikën, tmerrin, turbullimin, mahnitjen, dashurinë e shkrimtarëve, por, mbi të gjitha, ato që kanë krijuar botë të tëra fantazie dhe fanepsjesh duke mundësuar një njohje kabalistike të botës...
Pasqyrimi i hënës mbi ujë thuhet ka qenë pasqyra e parë e botës. Në mistikë, por jo vetëm, pasqyra është instrument i paradoksit. Të gjitha mjeshtëritë e fallit dhe magjisë, që kanë si element thelbësor pasqyrën, e mbështesin zejen e tyre në fuqinë dhe pushtetin që i njohin pasqyrës për të kapur të padukshmen. Pasqyra është në të njëjtën kohë pasqyrimi, reflektimi dhe dyjëzimi i personit, por edhe vazhdimi i realitetit real, të vërtetë, përtej cipës së saj, në një tjetër realitet. Ndonëse ky është thelbi i kulturave si orientale ashtu edhe oksidentale në lidhje me të, sërish ka ndryshime në perceptimin e saj. Njihen disa lloje pasqyrash, sipas këtyre kulturave, me funksionet përkatëse: 1. Pasqyra hijesh dhe fantazmash, siç janë pasqyrat me kornizë të zezë, të cilat janë në gjendje të detektojnë dhe zbulojnë fantazma, kur ato ndodhen përpara tyre. 2. Pasqyra falli, të cilat janë në gjendje të zbulojnë shtriga dhe shtriganë; thuhet se po të vendoset një pasqyrë e tillë përballë seksit të një gruaje të fjetur, ajo pasqyron një djall me brirë, që do të thotë se çdo grua është një shtrigë e hamendësuar. 3. Pasqyra rishtonjëse, të cilat nëpërmjet riteve pasqyrojnë stërgjyshërit, të parët. 4. Pasqyra analogjike, të cilat pasqyrojnë egon dhe tërë alter-et e saj.
Për Kishën Katolike pasqyra është diabolike, pasi ajo përbën një pushtet mistifikues. Vetë djalli është një speculum fallax. Kisha Katolike i quan Shkrimet e Shenjta një pasqyrë hyjnore. Bibla është në të vërtetë një pasqyrë e panjollë, speculum sine macula, pasi ajo pasqyron përsosmërinë hyjnore. Sidoqoftë, të krishterët, në përgjithësi, te pasqyra herë shohin Zotin dhe herë shohin djallin, ndërsa afrikanët, për shembull, shohin te ajo herë magjistarët dhe herë të parët e tyre.
Sërish në letërsi: për Lewis Caroll-in, babanë e “Lizës në botën e çudirave” pasqyra është “veglorja” magjike që na lejon të futemi në një tjetër dimension të njohjes, e cila është ana e errët e personalitetit tonë; për Borges-in është shumë më tepër se kjo, shumë më tepër edhe se një udhërrëfyese e fantazisë, apo një element me anë të së cilit mund të krijohen botë nga ato që nuk t’i rrok dot kollaj mendja, pra një element letërsibërës. Për Borges-in, pasqyra është një pasqyrim i thellë i unit, është një lloj thelbi i unit. Madje Borges-i flet për realitetin e pasqyrës, pra për pasqyrimin, si për një realitet “të vërtetë”. Në veprën e tij shihet shpesh fenomeni i dyjëzimit të unit, por edhe dyshimi apo pasiguria ndaj faktit se cili nga të dy mund të jetë i “vërteti”, çka shprehet në të gjithë veprën e tij, jo vetëm nëpërmjet metaforës së pasqyrës, por edhe nëpërmjet përshkrimit të ndodhisë magjike të të takuarit të vetvetes në rrugë, apo të unit (a vetvetes) që pasqyrohet mbi një tjetër un (apo vetvete), si te tregimi “Borges-i dhe unë”. Një tjetër interpretim borgesian i pasqyrave është edhe ideja se, dijenitë e njeriut, janë pasqyrime të cilat i marrim nga universi.
Dy qenë ëndrrat e liga që e torturuan Borges-in gjatë tërë jetës së tij: pasqyrat dhe labirintet. Labirinti, që e zbuloi fëmijë mbi një fletëz bakri të gdhendur, i fuste tmerrin e një “shtëpie pa dyer”, në qendër të së cilës e priste një përbindësh; ndërsa pasqyrat i zgjonin frikën se, ndoshta një ditë nuk do të pasqyronin fytyrën e tij, por një tjetër, ose më keq akoma, s’do të pasqyronin gjë prej gjëje. Tregojnë se kur ndodhej i sëmurë në Gjenevë, pak përpara se të vdiste, Borges-i i kërkoi Marguerite Yorcenar-it, e cila kishte vajtur ta takonte, që të shkonte të vizitonte apartamentin që kish pasur familja e Borges-it në Zvicër, për t’i treguar atij se në ç’gjendje qe asokohe. Ajo ia përmbushi dëshirën, por i hoqi një detaj: sapo kapërcehej pragu i apartamentit, një pasqyrë e stërmadhe me kornizë bojë ari dyfishonte vizitorin e çuditur. Yorcenar-i ia kurseu Borges-it këtë hollësi të ankthshme. Ja se ç’shkruan Borges-i në poezinë e tij “Pasqyrat”:
...Nga pasqyrat unë jam i tmerruar/jo vetëm nga qelq’ i padepërtueshëm/ku nis dhe mbaron, pabanueshëm/një hapësirë reflektimesh e pamundur./Por dhe nga uji spekulues që imiton/të kaltrën tjetër në barkun e tij qiellor/që shpesh vijëzon flatrimin iluzor/të shpendit të përmbysur a të një vale që dridhmon. /Dhe nga sipërfaqe e heshtur, e zymtë/e abanozit t’imët, që me të tijën lëmim/përsërit si në një ëndërr bardhësinë/e mermerit dhe trëndafilit të tymtë./Pasqyra prej metali, metal i maskuar/pasqyrë prej mogano që në mjegullinë/të muzgut të saj kuqëlinë/sfumon fytyrën që sheh dhe është e shikuar...
Tregimi im “Pasqyrat”, një pjesë të së cilit po e radhis më poshtë, e që është shkruar më 1999, - vit që simbolizon drejtësinë dhe të vërtetën sipas disa teksteve ezoterike, - në Bledë të Sllovenisë, përkon me filozofinë ekzistencialiste, sipas së cilës e tashmja nuk ekziston, gjithçka është një e shkuar e palëvizshme apo një e ardhme e pasigurt. Dhe pasqyrat pasqyrojnë të shkuarën e njeriut. Tjetër mesazh i tregimit është se historia është një pasqyrë e ngjarjeve, që me kalimin e kohës kujtesa nuk i ka fshirë dot, por që veç pasqyra mund t’i pasqyrojë të gjalla…
“…Vila e Bledës qe tumbllaz me pasqyra; të mbinin përpara aty ku nuk e prisje dhe ishin pasqyra të vjetra dashamirëse dhe mikpritëse, madje edhe kur ishin pak të turbullta nga një avull kohe; vetëm nga kënaqësia e vështrimit të imazhit tim në to, unë që nuk i dua fort pasqyrat, ndalesha kotazi në sheshpushimet e kateve, apo në korridoret përpara dyerve të suitave dhe qëndroja çaste të tëra përballë tyre, si e magjepsur nga grishja e pasqyrtë, duke u mrekulluar me formën që i jepnin lëndës sime, madje edhe sipas modeleve që tashmë u përkisnin fotografive të kaluara (unë që ia besoja imazhin tim vetëm pasqyrës ovale të shtëpisë sime) dhe tisin e dritës që buronte nga ujërat e tyre e më vishte të tërën. U mësova aq shumë me to ditëve që qëndrova në vilë, saqë edhe kur më keqësohej humori, më kapte trishtimi, apo nuk më ecte puna krijuese dhe bëhesha nervoze, shkoja dhe rrija përpara tyre, me shpresë se do të më ndihmonin; dhe vërtet, forma ime në to ishte përherë e lulëzuar dhe, me anë të një mekanizmi pa emër, arrinte të më kthente qetësinë dhe humorin; pata vënë re se kur ndodhesha qoftë edhe në rrethinën e pasqyrave, valë kujtimesh fëmijërie më përmbytnin gjithsaherë dhe detyrohesha të shkoja e të vendosesha përpara tyre që të mund t'i përjetoja çaste të tëra si të gjalla. Zonjën plakë të veshur me sqimën dhe petkat e qëmotit e pashë për herë të parë natën e tretë që ndodhesha në vilë, kur rreth një orë pas mesnate plasi sërish një stuhi shiu dhe kanatat e drunjta të dritareve të shumta të apartamentit tim zunë të përplaseshin me tërsëllimë. U ngrita përgjumësh dhe fillova me ngut t'i mbyllja një e nga një, në fillim kanatat e jashtme, pastaj ato të brendshmet dhe në rrëmujë e sipër hapa pa dashur derën e apartamentit dhe pashë atë: ndodhej tamam përballë pasqyrës sa një bojë njeriu të korridorit të apartamentit tim dhe kishte mbi kokë një kapele të madhe blu me fjongo të bardhë nga ku arratiseshin bukle flokësh të kuqe flakë, të cilën e vërtiste si fugë mbi kokë duke i ndërruar vend gjithsaherë; kur, më në fund, e rehatoi kapelen, nisi të pozonte në dhjetëra forma duke u rrotulluar brenda kostumit blu e duke recituar pa zë me duar e me një patos të zjarrtë, pastaj filloi të kërcente një si minuet të ngadalë dhe, në fund fare, nxori nga çanta e vogël e dorës një kuti tualeti dhe filloi të stolisej rëndë (arrija të shikoja një pjesë të fytyrës së saj në pasqyrë). Nuk po u besoja dot syve, por aroma e fortë e një parfumi të vjetër përzier me një kundërmim krizantemash të vyshkura më solli në vete: me siguri ka qenë aktore, thashë me vete, po interpreton një rol që nuk ia kanë besuar kurrë dhe që i ka mbetur peng në zemër. Kur gjykova se e kishte përfunduar interpretimin, duartrokita lehtazi për t'i dhënë kënaqësinë e spektatorit asaj shfaqjeje të fantaksur nate: zonja plakë u kthye rrëmbimthi, u prish në fytyrë, më vështroi egrazi dhe u zhduk në çast përpara syve të mi. Dola vetëtimë dhe kontrollova korridoret dhe shkallët: frymë njeriu; u avita te pasqyra ku përpara një çasti kish qëndruar zonja plakë dhe ajo më rrëfeu fytyrën time të habitur, ndërkohë që më pështolli aroma e fortë e parfumit të vjetër përzier me kundërmim krizantemash të vyshkura - këtë aromë nuk e zhduk dot kollaj- brita me zë të lartë, kjo është një provë, unë të pashë, nuk jam as e marrosur dhe as e përgjumur. Aktore e dështuar! - vijova me mllef.
Të nesërmen, herët në mëngjes, me një filxhan të madh me kafe përpara, u ula në një tryezë të tarracës që shihte nga hyrja kryesore e vilës dhe orë të tëra përgjova banorët e vilës, duke dëgjuar kambanën e dëshirave që binte në manastirin e ishullit; më pas dola në hajat dhe i rashë përqark edhe dy orë të tjera parkut të paanë gjer në fund të shkallëve që binin në liqen - zonjën plakë nuk e pashë gjëkundi.
Atë natë, pas mesnatës, mbajta veshin ngjitur pas derës, e bindur se aktorja plakë do të vinte sërish të luante rolin e saj përpara pasqyrës; kaloi rreth një orë përpara se të dëgjoja një lumë të tërë zhurmëzash që nuk munda dot t'i identifikoja me asgjë. Hapa derën frymëmbajtur dhe u fsheha vrik pas një vazoje të stërmadhe prej guri me një pemë të tharë pa emër, e cila ndodhej në një sallon nga ku hapeshin korridore të shumta; pamja që m'u shfaq në sy qe e hatashme: përpara dhjetëra pasqyrave qëndronte një trumbë njerëzish të jashtë kësaj jete që mundoheshin, duke bërë lloj-lloj gjestesh dhe lëvizjesh pothuaj të pazëshme, të gjenin një ekzistencë brenda ujërave pasqyrore - fantazma të një pafundësie kohërash që ia dilnin të krijonin imazhin e tyre në pasqyrë. Nuk di sa gjatë qëndrova duke vështruar mrekullinë. Tërë atë kohë kuptova se gjithçka që shihja duhet të ndodhte sipas një ujdie që ky populli i jashtëjetës ia kishte dalë të bënte me popullin e robëruar brenda pasqyrave, i dënuar nga Perandori i Verdhë të pasqyronte servilshëm veprimet njerëzore dhe, se një ditë, me siguri, ky populli këtej, si shpërblim, do ta ndihte të shprangosej prej qelqit dhe shtresëzës së metaltë...
Në mëngjes pothuaj nuk i ndieja gjymtyrët. Mbështetur në krah të tim shoqi, në hollin e vilës së Bledës, ndërsa taksisti merrej me bagazhet tona, shihja banorët e përkohshëm të vilës dhe punonjësit e saj që vërtiteshin brenda jetës së tyre të thjeshtë pa e ditur se vila e tyre kishte pasqyra po aq të jashtëzakonshme sa ajo që Lindja e njeh si të Aleksandrit të Maqedonisë dhe që pasqyron tërë gjithësinë, apo sa pasqyra që Tariq Ben Ziad-i gjeti në një kullë, apo sa pasqyra që Lucien de Samosate mundi të këqyrte në Hënë, apo sa pasqyra e gjithësishme e Merlinit, e ngjashme me një botë të tërë prej qelqi.
Pasqyrat e paimagjinueshme të vilës së Bledës, ndryshe nga ato të rëndomtat që e pasqyrojnë materien vetëm në formën mjerane të së tashmes, pasqyronin materien në një mori kohësh dhe jo vetëm materien; ato pasqyronin jomaterien, joformën, pasqyronin vdekjen dhe kujtesën. U mbusha me një gëzim të lig ndaj të gjithë njerëzve që shihja përqark: kalojeni të gjallët tuaj në këtë vilë, o të verbër me sy, mendoja, unë do të rikthehem këtu, kam gjithë vdekjen time përpara...”
#