E Shtunë, 31 Tetor 2026

Spitali i ri mbetet peng i provave teknike

Masterplani i QSUT-së, nuk inaugurimit as pas dy muajsh. Gazi, uji dhe çështje të tjera jo mjekësore, ende nën shqyrtim

Masterplani brenda qendrës spitalore universitare “Nënë Tereza”, projekti i madh gati 20-vjeçar, ende nuk ka prerë shiritin e inaugurimit. Hapja e spitalit të ri në zemër të qendrës universitare në Tiranë, duhej të kryhej që në mars të këtij viti. Më pas, për çështje fondesh e pajisjesh, hapja e aktivitetit të kësaj qendre shumëfunksionale u shty për në muajin qershor. Edhe pse kanë kaluar më shumë se dy muaj, masterplani ende nuk është gati për të nisur punën. Për më shumë, disa çështje të lëna pezull e disa të tjera që ende nuk janë përmbushur sipas afateve të përcaktuara, do ta shtyjnë më tej në kohë hapjen e spitalit më të përfolur e të shumëpritur nga stafet mjekësore e autoritetet shëndetësore.

“Inaugurimi nuk është bërë ende, për shkak të disa provave të përsëritura. Bëhet fjalë për procedura teknike, të nevojshme për të qenë profesionale dhe avangardë me ashtu siç do të jetë edhe kjo qendër. Impianti i gazit, ujit dhe pajisjet specifike ndodhen ende në fazë provash, instalimesh, si dhe përmbushje të procedurave të tjera të nevojshme për të vendosur spitalin në funksion të plotë”, sqaroi zyrtarisht qendra spitalore universitare “Nënë Tereza”. Nuk është dhënë ende një afat i qartë lidhur me prerjet e shiritave në këtë qendër, por jo vetëm për këto prova teknike, edhe për çështje të tjera, si mobilim, etazher apo aksesorë të nevojshëm për funksionin e spitalit do të jenë shkak për vonesën e nisjes nga puna të masterplanit të QSUT-së.

Prokurimi

Pajisjet mjekësore për masterplanin e QSUT-së janë prokuruar, me buxhetin e shtetit, me një fond prej 8 milionë eurosh.

Tashmë janë në procesin e instalimit një pjesë e këtyre aparaturave. Krahas pjesës që siguron funksione spitalore është edhe pjesa tjetër, qoftë impianti i gazit apo furnizimi me ujë. Në katër katet e masterplanit do të vendosen sterilizimi qendror, departamenti i imazherisë dhe diagnostika funksionale, të cilat do të mbulojnë të gjitha nevojat e spitalit. Në këtë godinë do të vendoset departamenti i urgjencës me 18 shtretër, gjysmë intensive dhe për observim. Në këtë shërbim do të ketë 30 shtretër kirurgji e përgjithshme dhe 30 shtretër të mjekësisë interne. Në godinë janë parashikuar laboratorët dhe 15 shtretër reanimacioni, hematologjia, sallat e operacionit.

Pajisjet

Blerja e pajisjeve mjekësore është kryer me disa faza, nga të cilat loti kryesor ishte ai që përfshihen pajisjet e imazherisë, diagnostikës dhe laboratorëve.
Shuma e parashikuar nga Ministria e Shëndetësisë për realizimin e këtij projekti është rreth 57 milionë euro, duke përfshirë këtu edhe teknologjinë mjekësore, që do të ofrojë secili shërbim.
Sipërfaqja e përgjithshme e ndërtimit është rreth 30 mijë m2. Përveç këtyre shërbimeve, projektit për ndërtimin e dy kateve shtesë do t’i shtohet shërbimi i dializës, i cili do të ofrojë rreth 270 shtretër.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›