MM: Përmirësohet gjendja e Peçit, “Dëshmor i Atdheut” për Voglin
Ministria e Mbrojtjes ka deklaruar sot se është gjendja shëndetësore e Nëntetarit Aleksandër Peçi, vazhdon të përmirësohet pas ndërhyrjes kirurgjikale në Spitalin Ushtarak në Bazën Ajrore të Kandaharit në Afganistan. Në një konferencë për shtyp, Ministria e Mbrojtjes ka theksuar se kapiteni Feti Vogli i është akorduar titulli “Dëshmor i Atdheut”.
Sipas Ministrisë së Mbrojtjes varrimi i Kapiten Feti Vogli do të bëhet në Varrezat e Dëshmoreve të Kombit ndërsa detaje të tjera të ceremonisë mortore shtetërore do të ketë komunikime të mëvonshme, pasi të jetë përcaktuar koha e mbërritjes së trupit në Atdhe.
Gjithashtu Ministria e Mbrojtjes thekson se autoritetet ushtarake përgjegjëse të operacionit të ISAF po përmbyllim masat për transportimin e të plagosurit drejt Gjermanisë.
Ministria gjithashtu ka dhënë me detaje edhe ngjarjen e rëndë, gjatë një misioni inspektimi dhe shoqërimi në rajonin Shadizi Robat në afërsi të Bazës Ushtarake në Spin Boldak ku Grupi i Parë Special i Kontingjentit EAGLE 4, që vepron në kuadër të operacionit ISAF, ka rënë nën zjarrin e befasishëm të një efektivi të policisë lokale afgane.
“ Si rezultat i zjarrit të befasishëm kanë mbetur të plagosur tre ushtarakë, dy shqiptarë dhe një amerikan. Grupi i ushtarakëve të gjendur në këtë situatë të rëndë, ka reaguar me vendosmëri dhe profesionalizëm të lartë, duke bërë të mundur arrestimin e personelit të Policisë Afgane të përfshirë në ngjarje. Nga strukturat operacionale të NATO-s janë marrë masa të menjëhershme për evekuimin mjekësor ajror të të tre të plagosurve. Komandanti i Grupit, Kapiten Feti VOGLI nuk ka mundur të përballojë plagët e marra dhe ka ndërruar jetë gjatë transportit për në spital, ndërkohë që të dy ushtarakët e tjerë janë futur menjëherë në sallat e operacionit. Në orën 20:49 sipas orës lokale, ose orës 17:19 sipas orës së Shqipërisë autoritetet komanduese të misionit ISAF kanë raportuar humbjen e jetës gjatë ndërhyrjes kirurgjikale në spital për ushtarakun e dytë shqiptar. Ky lajm i është bërë i ditur publikut përmes komunikatës së Ministrisë së Mbrojtjes të orës18:30 të datës 20. 02. 2012, pasi ishin njoftuar më parë familjet e ushtarakëve. Në orën 22:34 sipas orës lokale, ose orës 19:04 sipas orës së Shqipërisë autoritetet komanduese të misionit ISAF kanë raportuar se Nëntetar Aleksandër Peci kishte përballuar me sukses ndërhyrjen kirurgjikale dhe ishte në jetë. Ky lajm i është bërë i ditur publikut përmes komunikatës së Ministrisë së Mbrojtjes të orës 20:30 të datës 20. 02. 2012. pasi ishte njoftuar më parë familja e Nëntetar Aleksandër Pecit. Rreth orës 23.00 të datës 20. 02. 2012 Ministria e Mbrojtjes dhe Shtabi i Përgjithshëm i FA ka njoftuar publikun përmes një komunikate tjetër në të cilën i është përcjellë publikut lajmi për përmirësimin e gjendjes shëndetësore të Nëntetar Aleksandër Peci, pasi ishte njoftuar më parë familja e tij" thekson Ministria e Mbrojtjes.