"Ora News" në familjen e kapitenit të vrarë Feti Vogli
Ndërsa familja e kapitenit Feti Vogli i cili u vra gjatë një sulmi në Afganistan ka hapur dyert e zisë, familja e nëntetarit Aleksandër Peçi është ende në ankth duke pritur lajme për gjendjen shëndetësore të djalit të tyre. Të afërt, shokë të Fetiut në fëmijëri dhe ushtri, banorë të komunës Baldushk si dhe efektiva të Forcave Speciale Shqiptare, ku bënte pjesë, janë bashkuar me dhimbjen shpirtërore të familjes Vogli.
Vëllai i kapitenit Feti Vogli, Florenc Vogli përmes dhimbjes dhe lotëve ka treguar për RTV “Ora News” se si e mori vesh lajmin e hidhur për vdekjen e të vëllait. Ai ka theksuar se për Fetiun kjo ishte hera e tretë që shkonte në Afganistan me trupat paqeruajtëse dhe ishte i përgatitur për këtë mision. “Ishte hera e tretë që kishte shkuar në Afganistan. Merak përpara se të ikte kishte vjazën e tij 3-vjeçare” tregon mes lotësh Florenci.
Ndërsa një tjetër i afërm i tij theksoi se Fetiu nderoi flamurin shqiptar në 100- vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë. “Flamuri shqiptar ndrit sot me gjakun e tij” shton më tej ai.