E Shtunë, 31 Tetor 2026

MPJ: Dënojmë aktet e dhunës në Boston

TIRANË- Ministria e Jashtme Shqiptare nëpërmjet një deklarate për shtyp ka dënuar sulmin e ndodhur dje në përfundim të Maratonës së Bostonit. 

“Ministria e Punëve të Jashtme dënon me forcë aktet e dhunës që ndodhën një ditë më parë në përfundim të Maratonës së Bostonit, ku humbën jetën dhe u dëmtuan rëndë qytetarë të pafajshëm. Duke iu bashkuar popullit amerikan në këtë moment dhimbjeje, shprehim angazhimin e palëkundur për të qëndruar përkrah Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të luftuar aktet ekstreme dhe dënuar të gjithë ata që tronditin jetët e qytetarëve. Ministria e Punëve të Jashtme i shpreh ngushëllimet familjarëve të viktimave të kësaj ngjarjeje të rëndë”, thuhet në deklaratë. 

Ministri i Punëve të Jashtme z. Aldo Bumci i dërgoi me këtë rast një telegram Sekretarit Amerikan të Shtetit, z. John Kerry, të cilit i shprehu ngushëllimet e sinqerta dhe keqardhjen e thellë për këtë ngjarje tragjike.
(m.a/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›