MPJ: Strategjia ende nuk është miratuar

Sipas Artan Behramit, këshilltar i ministrit Enver Hoxhaj, Strategjia për Diplomaci Ekonomike është draftuar nga ekspertë të USAID-it amerikan dhe ekspertë të Ministrisë së Punëve të Jashtme, dhe se ajo nuk është miratuar ende në Qeverinë e Kosovës dhe është në fazën fillestare.
"Ne ia kemi dërguar Komisionit për Politikë të Jashtme këtë dokument, Ministrive të linjave, organizatave të ndryshme ekonomike dhe në ditët në vazhdim do të kemi një debat publik për këtë Strategji. Qëllimi është që të marrim sa më shumë propozime, sugjerime, të cilat do të gjejnë vend në këtë Strategji. Një DRAFT të tillë ne e kemi dërguar edhe në Komisionin për Politikë të Jashtme, në mënyrë që ata të reflektojnë, ta plotësojnë me propozime konkrete. Vetëm kur kjo Strategji të merr formë finale ne do ta dërgojmë në Qeveri për miratim", tha Behrami.
Vetëvendosje: MPJ-ja s’ka strategji, po bën skandale
Lëvizja Vetëvendosje ka hedhur kritika ndaj Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës lidhur me dy dokumentet e saj, atë për Strategjinë e Diplomacisë Ekonomike të Kosovës dhe Strategjia për Njohjet, për të cilat dokumente drejtues të kësaj lëvizjeje kanë thënë se janë dokumente me plotë gabime dhe që nuk janë publikuar ende për opinionin. Ata kanë kritikuar këtë ministri për ngecje në njohje, degradim të shërbimeve të jashtme, struktura të dyfishta, shkelje ligjesh e rregulloresh. Kjo lëvizje ka akuzuar këtë ministri edhe për funksionim me dokumente të skaduara.
Puhie Demaku, nga Lëvizja Vetëvendosje, ka akuzuar të enjten po ashtu Ministrinë e Punëve të Jashtme se nuk kanë strategji për politika të jashtme.
Ajo ka paraqitur para mediave dokumentin e MPJ-së “Strategjia e Diplomacisë Ekonomike”, të cilin e ka quajtur si një dokument me shumë gabime dhe që nuk e pasqyron realitetin për investime të jashtme në Kosovë.
“Strategjia e Diplomacisë Ekonomike, si dokument është një përmbledhje gabimesh gjuhësore e profesionale, nuk ka asnjë faqe nga këto 36 sa janë gjithsej, e cila nuk përmban shembuj siç janë këta në vazhdim. E para: Regjionet malore nga zonat jugore dhe perëndimore të vendit ofrojnë potenciale për ofrimin e të klasit botëror sportive me mundësi të zhvillimit të sporteve të turizmit dimëror, vendet kulturore dhe historike me interes si dhe kuzhina superiorë dhe verëra. E dyta: Fuqia e punës në dispozicion në Kosovë është shumë më e madhe për shkak të shtrirjes së papunësisë, komentatorë të ndryshëm e vendosin shkalën e papunësisë nga 40 deri në 48 për qind. Por ata dëshirojnë të llogarisin punëtorët në tregun e zi të punës, numri i të cilëve vlerësohet jo zyrtarisht edhe efekti të cilit bën në shifrat e papunësisë që mund të jetë po aq i rëndësishëm sa edhe efekti i tyre mbi të ardhurat e taksave. Do të thotë, fjalë e togfjalësh të bashkuar që tingëllojnë shqip, por që në fund nuk kanë kurrfarë kuptimi. Dhe e treta: Kosova është një vend i shëndetshëm dhe i bukur në rrafshin e gjerë të gjelbër dhe të hapur dhe me malet me thyerje dramatike. Në Prishtinë kafenejat janë të tej mbushura pasdite, restorante dhe klube janë të tej mbushura gjatë natës, njerëzit bëjnë pazare, ndërtojnë, shëtisim fëmijët me karroca fëmijësh, merren me sporte dhe përshëndetin njëri-tjetrin me buzëqeshje dhe puthje në rrugë”, ka thënë ajo ndër të tjera.
Ajo ka shtuar se ky dokument është hartuar në bashkëpunim edhe me ekspertët e USAID-it amerikan e që ende nuk mund figuron as në ueb-faqen e MPJ-së.
Ajo shtoi se në vend që ky dokument të jetë si një udhërrëfyes për punën e kësaj ministrie se si të tërhiqen investimet e huaja për në Kosovë, ai dokument ngërthen në vete shumë gabime drejtshkrimore e strategjike.
Ndërsa ajo duke folur për dokumentin e dytë, atë të “Strategjisë për njohje”, ka thënë se ky dokument është miratuar kohë më parë dhe ende nuk është bërë publik. Ajo tha se në kuadër të këtij dokumenti është hartuar edhe një shtojcë tjetër, e cila, sipas saj, po ashtu nuk është bërë publike me arsyetimin se është koefidencial dhe paraqet rrezik për partnerët në përmbushjen e synimeve.
“Dokumenti i dytë që dua ta ndaj me juve është dokumenti i ‘Strategjisë për njohje’. Pra është strategjia për arritjen e njohjes së plotë të shtetit të Kosovës dhe kjo strategji është bërë publike në fakt përmes njerëzve të shumtë në rrjetet diplomatike të huaja, është miratuar në qershor të vitit 2011, pra gati një vit më parë, është shpërndarë nga institucionet e Kosovës, tek diplomatët e huaj dhe nuk është vendosur kurrë në ueb-faqe. Pra edhe një herë po ua kujtoj se është dokument publik, në të cilin do të duhej të kishit qasje. Dhe për ta arritur njohjen e plotë të Kosovës nga vendet e tjera, Ministria ka hartuar edhe një shtojcë të kësaj strategjie, e cila nuk është bërë kurrë publike. Por kjo shtojcë nuk është bërë publike me pretekstin se duhet të mbetet koefidenciale për të minimizuar mundësitë që aktivitetet, apo partnerët në implementim të identifikohen, të zbehen apo të pamundësohen nga pala tjetër në përmbushje të synimeve”, ka thënë ajo.
Sipas saj, ky dokument sipas ministrisë është konsideruar si shumë me rrezik, por ajo mendon se veprimi më i keq nga kjo ministri ka qenë kur ajo nuk e ka publikuar këtë dokument./kosovapress/