MPJ: Veprimet e Kosovës, sipas së drejtës ndërkombëtare

Ministria e Punëve të Jashtme e Shqipërisë përshëndet veprimin e vendosur të Kosovës, për të ushtruar sovranitetin e saj të plotë në të gjithë territorin e vendit, në bashkëpunim me EULEX-in dhe KFOR-in.
Nëpërmjet një deklarate për shtyp, MPJ-ja thekson se vënia në funksion e pikave doganore në veri të Kosovës dhe prania e doganiereve të saj atje është në përputhje të plotë me të drejtën ndërkombëtare.
“Ky është gjithashtu një hap i rëndësishëm për vendosjen e reciprocitetit në shkëmbimet tregtare mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë. Ky zhvillim i ri, i mbështetur plotësisht nga partnerët ndërkombëtarë, do inkurajojë uljen e tensionit, duke krijuar një situatë, mbi të cilën të ndërtohet normaliteti në mënyrë konstruktive dhe me maturi”, thuhet në këtë deklaratë.
Po ashtu, MPJ-ja bën thirrje për respektimin e rendit e ligjit në vazhdimësi, si një kontribut shumë i rëndësishëm për paqen, sigurinë dhe përmirësimin e jetës së qytetarëve në të dy vendet, që i shërben paqes e stabilitetit në rajonin tone dhe integrimit të tij mes vetes dhe në BE.