E Shtunë, 31 Tetor 2026

Holtkemper: Politika shqiptare, të bashkëpunojë

Ambasdorja gjermane në Tiranë, Carola Muller-Holtkemper, përshëndet hapat e bashkëpunimit pozitë- opozitë, si dhe kërkon fillimin e punës për realizimin e rekomandimeve të OSBE. Në një intervistë dhënë për DV, ambasadorja thekson se të dyja palët kanë deklaruar se kanë dëshirën për të bashkëpunuar me njëri-tjetrin. Sipas saj, tani është në dorë të shqiptarëve që pas fjalëve të vijnë veprime konkrete dhe të vijohet me procesin e reformave dhe kjo ka rëndësi thelbësore për ecurinë e vendit.

Në këtë drejtim ambasadorja thekson se ajo që ka rëndësi është zbatimi i këtyre ligjeve që miratohen. “Ora tashmë është disa sekonda para 12-s. Ne nuk presim që ora të ndalojë këtu, ne nuk presim gjithashtu surpriza të cilat do të na vinin si të befta. Periudha e vëzhgimit të Shqipërisë nga ana e Komisionit Europian, e kemi përsëritur disa herë, është në përfundim dhe pjesa më e rëndësishme ka qënë deri përpara verës”, vlerëson ambasadorja gjermane.
 

Ajo inkurajon të dyja palët politike shqiptare, që të ecin kundrejt njeri- tjetrit për të bashkëpunuar në mënyrë konstruktive në rradhë të parë në parlament, si dhe në kuadër të punës me komisionet parlamentare atje. “Opozita është kthyer ne parlament tashmë dhe asaj i nevojitet hapësira e nevojshme e lëvizjes për të përmbushur misionin e saj si një opozitë e një sistemi demokratik. Dhe kjo hapësirë i duhet krijuar”, thekson ambasadorja.
 

Duke u ndaluar në raportin e ardhshëm të Komisionit Europian për Shqipërinë, i cili do të publikohet pas më pak se një muaji, ambasadorja gjermane përmend vizitat e ministrave të jashtëm, atij italian dhe atij gjerman, si dhe vizitën e dy deputetëve gjermanë, njëri i mazhorancës dhe tjetri i opozitës në Bundestag. “Ata kanë zhvilluar bisedime të nivelit të lartë politik në Shqipëri dhe mesazhi ka qënë i qartë dhe konsistent: apelojmë si te qeveria, ashtu dhe te opozita për të bashkëpunuar në mënyrë konstruktive në të mirë të progresit”, shprehet Holtkemper.
 

Sipas saj, është një tregues mjaft pozitiv fakti që të gjitha partitë jo vetëm e kanë pranuar raportin e ODIHR-it, por dhe i kanë përshëndetur rekomandimet që ai ofron dhe se tani është e rëndësishme që të fillohet me realizmin e këtyre rekomandime, në mënyrë që ato që janë thënë të bëhen në kohë, para mbajtjes së zgjedhjeve të ardhshme parlamentare. “Ky proces mendoj duhet të përfshijë jo vetëm partitë që tashmë përfaqësohen në parlament, por dhe partitë e vogla, si dhe përfaqësuesit e shoqërisë civile në mënyrë që ai të jetë sa më inkluziv dhe gjithëpërfshirës sa të jetë e mundur. Këtu nuk duhet harruar që ky proces të bëhet me profesionalizmin e duhur”, veçon ajo.
 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›