MPJ adopton ndryshime ne fushen e teknologjise dixhitale
Diplomacia dixhitale është një mjet i ri për të sjellë sa më pranë qytetarëve diplomacinë publike, si dhe një rrugë e mënyrë e re për të bërë diplomaci në erën e Internetit dhe të medias sociale. Synimi i diplomacisë dixhitale është afrimi me qytetarin kudo që ai ndodhet në botën globale, angazhimi për t’iu përgjigjur sa më shpejt e sa më mirë nevojave të tij, dhe e fundit, por jo për nga rëndësia, për t’i bërë ata të ndjehen realisht pjesë e aksionit dhe vendimarrjes në politikën e jashtme të vendit të tij.
Për të arritur këto qëllime, Ministria e Jashtme ka përshtatur e bërë të vetat mënyrat moderne të komunikimit si twitter, facebook, youtube, blog etj. Në këtë mënyrë, çdo lajm, çdo informacion, çdo reagim i Ministrisë së Punëve të Jashtme do jetë në kohë reale në telefonat tuaj celularë, ose në adresat tuaja të postës elektronike.
Me opinionet ose komentet tuaja, ju shndërroheni në pjesë aktive të veprimtarisë sonë diplomatike, duke ndikuar në përmirësimin e performancës publike të trupit diplomatik shqiptar dhe për rrjedhojë jeni në gjendje të ndikoni në përmirësimin e punës sonë të përditshme në funksion e shërbim të vendit e të qytetarëve.
Veç përqafimit të diplomacisë dixhitale, Ministria e Jashtme sjell dhe tri rubrika të reja, 100 Vjetori i Pavarësisë, ku do të publikohen gjithë aktivitetet e MPJ dhe të ambasadave shqiptare në botë në këtë jubile, Presidenca Shqiptare e KiE, maj-nëntor 2012, ku do paraqiten gjithë aktivitetet për këtë kryesim historik të Shqipërisë të një organizate si KiE, si dhe “Shpenzimet buxhetore” ku në kuadrin e transparencës, do të publikohen gjithë shpenzimet dhe kostot e këtij dikasteri. Të gjitha këto modifikime reflektohen edhe në faqen anglisht të MPJ.
Duke promovuar diplomacinë dixhitale dhe ndryshimet e reja në website-n e Ministrisë së Jashtme, ftojmë qytetarët shqiptarë, kudo që ata ndodhen, por edhe shtetasit e huaj, të rrugëtojnë së bashku me ne, duke hapur një epokë të re partneriteti dhe bashkëpunimi të ndërsjellë, ku gjithsecili mund të sjellë ndihmesën e vet për mbarëvajtjen e punëve dhe interesin e përbashkët.